Liverpool dhe Real Madrid janë dy klubet e vetme që janë lidhur me transferimin e Kylian Mbappes, i cili ka kërkuar të largohet nga Paris Saint-Germain në janar.
Vetëm pak muaj pas vazhdimit të marrëveshjes me PSG-në, francezi duket se nuk është aspak i lumtur në kryeqytetin francez.
Ndërkohë, Liverpool ka qenë i interesuar për nënshkrimin e Mbappes që kur ai ishte ende lojtar i Monacos.
Marrëdhënia Liverpool-Mbappe
Interesimi i Liverpoolit për Mbappen daton më shumë se pesë vjet, kur francezi ishte adoleshent në Monaco.
Mediat angleze zbuluan në atë kohë se klubi diskutoi me sulmuesin e talentuar për një lëvizje të mundshme në Anfield dhe Reds rritën interesimin e tyre nga atje.
Në fakt, besohet se shefi i ‘Fenway Sports Group’ John W. Henry e çoi familjen e lojtarit për një udhëtim me avion privat mbi gjirin e Nicës për disa orë, ndërsa diskutonte për të ardhmen e tij.
Megjithatë, Liverpool nuk bëri asnjë ofertë zyrtare dhe Mbappe zgjodhi PSG–në.
Tre vjet më parë, pati më shumë raportime që lidhnin Mbappen me Liverpoolin pasi skuadra e Jurgen Klopp fitoi Ligën e Kampionëve në Madrid.
Ashtu si edhe më parë, nuk kishte asgjë konkrete mes dy kampeve.
Skuadra e preferuar e nënës së Mbappes
Pas rinovimit të kontratës me PSG-në në maj, Mbappe diskutoi këtë temë në një intervistë me Daily Telegraph rreth interesimit të Liverpool për nënshkrimin e tij.
“Kam biseduar me Liverpoolin sepse është klubi i preferuar i mamasë sime, mamaja ime e do Liverpoolin”, kishte thënë Mbappe.
“Është një klub i mirë dhe ne i takuam ata pesë vjet më parë. Kur isha në Monaco i takova ata. Është një klub i madh”.
PSG -ja do të ishte e interesuar vetëm ta shesë francezin te Liverpooli, me Mohamed Salah që mund të kalonte në anën tjetër.
Ajo që e bën lëvizjen të komplikuar është paga e lartë që Mbappe merr te PSG. /Telegrafi/
True ✅✅ PSG Idea is to sell Mbappe to Liverpool and get Mo Salah instead. PSG hold a long-term interest in Salah, and he is the top target as a replacement of Mbappe departure https://t.co/QCqPMzmABE
— Ismael Mahmoud – إسماعيل محمود (@ismaeelmahmoudd) October 11, 2022