Telegrafi

Një muaj paraburgim të dyshuarit për plagosjen në Lupç të Podujevës

Gjykata Themelore në Prishtinë u ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji katër personave S.H, F.H, A.H, F.M, të cilët dyshohen për “Vrasje të rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” pas përleshjes që përfundoi me plagosje në Lupç të Poshtëm të Podujevës më 1 maj. Ndërsa për të dyshuarin e pestë B.M, prokurori ka hequr dorë nga kërkesa për paraburgim.

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve S.H, F.H, A.H, F.M dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin, paraburgimi është caktuar  në harmoni me nenin 184 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.1 dhe 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së, ndërsa refuzohet kërkesa e prokurorit për caktimin e paraburgimit për të pandehurin B.M, pasi prokurori ka hequr dorë nga kërkesa për caktimin e paraburgimit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Gjykata thekson se me datë 01.05.2024 rreth orës 15:30 në rrugën e fshatit Lupç i Poshtëm në Podujevë, të dyshuarit janë takuar në afërsi të një pompe të derivateve, i kishin ndalur veturat në rrugë dhe kishin filluar të përleshen, për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme.

“Të dy palët kishin përdorë armë, thikë dhe mjete të forta, ku nga të shtënat me armë dhe nga përdorimi i thikës janë plagosur të pandehurit F.M dhe B.M”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.