Telegrafi

Një muaj paraburgim për të dyshuarin për sulm seksual ndaj të miturës në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të dyshuarit për sulm seksual ndaj të miturës në Ferizaj.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie nga gjykata.

“Paraburgim ndaj R.M. i dyshuar për veprën penale kundër integritetit seksual Ferizaj, 11 mars 2022 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit R.M. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale sulmi seksual nga neni 229 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri ka kryer veprën penale sulmi seksual ndaj të dëmtuarës – të mitur.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj. Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/