Gjykata Themelore Prishtinë, Departamenti Special ka caktuar masën e paraburgimit një muaj ndaj të pandehurit me nënshtetësi të Serbisë L.D., nën dyshimet se ka kryer veprat penale bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese, rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi si dhe sulm ndaj personit zyrtar.
Në vendimin e gjykatës thuhet se “ekziston dyshimi i bazuar se më datën 29.05.2023, në intervalin kohor prej orës 06:00 e deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin në të cilin gjendet objekti i Komunës së Zveçanit, i pandehuri L.D. së bashku me të pandehur tjerë kanë marrë pjesë aktive në grupin përkatësisht turmën e personave, me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze, në atë mënyrë që përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Kosovës në komunat veriore të vendit”.
“Përkundër urdhrave të KFOR-it për shpërndarje të qetë të turmës dhe refuzim të hyrjes në objektin e komunës, të pandehurit kanë nxitur dhe filluar që të ushtrojnë dhunë të pakontrolluar, duke përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe armë zjarri, nga të cilat janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, tre prej tyre nga predhat e armëve të zjarrit”, thuhet në vendim, transmeton Telegrafi.
Në vendim thuhe se “po ashtu, janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe veturat e gazetarëve që kanë mbuluar ngjarjet e kësaj dite, të cilat përfshijnë djegien e plotë të disa automjeteve ose dëmtim fizik në masë të madhe, duke shkaktuar rrezik në shkallë të lartë për jetën e shumë njerëzve dhe pasurisë”.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Telegrafi/