Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muajsh për të pandehurin V.B, i cili ka shkaktuar aksident me fatalitet në fshatin Harilaq.
Në njoftimin e bërë për media thuhet se, gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit V.B e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.
“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 11.03.2021, rreth orës 17:25, në rrugën Sllatinë –Magur në fshatin Harilaq, i pandehuri V.B, duke drejtuar automjetin e tij, nga pakujdesia ka rrezikuar pjesëmarrësit në komunikacion dhe ka vu në rrezik jetën e njerëzve, ashtu që duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes së mjetit me kushtet dhe fushëpamjen e rrugës dhe duke mos pasur kujdes ndaj këmbësorëve në rrugë, e godet këmbësorin tani të ndjerin E.N.A, i cili ka qenë duke e kaluar rrugën me ç’rast ka shkaktuar aksident komunikacioni me fatalitet ku këmbësori E.N.A si pasoj e këtij aksidenti, ndërron jetë”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, aksidenti me fatalitet ka ndodhur me datën 12 mars, rasti ka ndodhur në fshatin Harilaq të Fushë Kosovës, rreth orës 17:26. /Telegrafi/