Site icon Telegrafi

Një muaj paraburgim për policin nga Obiliqi që mori 1 mijë euro ryshfet

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka mbajtur seancën dëgjimore, duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale kundër të pandehurit B.H për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Sipas njoftimit për media thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe të pandehurit B.H iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj, masa e paraburgimit është caktuar në kuptim të nenit 184 paragrafi 1, nën paragrafi 1.1 dhe 1.2 , pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së.

“Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Lexo po ashtu IPK arreston një zyrtar policor në flagrancë nën dyshimin për marrje ryshfeti

Kujtojmë se i njëjti ishte arrestuar ditë më parë nga Departamenti i Hetimeve në kuadër të Inspektoratit Policorë të Kosovës.

Hetuesit e IPK-së pas disa veprimeve hetimore duke përfshirë edhe hetimin me masa të fshehta hetimore, të enjten rreth orës 17:00 nga hetuesit e IPK-së është arrestuar në Obiliq zyrtari policor (hetues në Stacionin Policor në Obiliq) kurse nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

“Bazuar në veprimet hetimore që hetuesit e IPK-së kanë realizuar deri më tani, dyshohet se zyrtari policor ka pranuar 1000 Euro për të interferuar në hetimet e një rasti penal”, thuhej në njoftimin e IPK-së. /Telegrafi/

Exit mobile version