Telegrafi

Një muaj paraburgim për personin që dyshohet se vrau dhe dogji vëllain në Rahovec

Foto: Arkiv

Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një muaj të pandehurit G. K., shqiptar, shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer vepër penale të vrasjes së rëndë.

I pandehuri G. K. me 11 shkurt 2020, rreth orës 11:00 në fshatin Bërnjak të Rahovecit, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, me dashje ka privuar nga jeta vëllain e tij B. K.

“Në ditën kritike i pandehuri shkon në shtëpinë e të ndjerit dhe pasi futet nga dera e kuzhinës gjuan me pistolete tre-katër herë në drejtim të të ndjerit, i cili në ato momente gjendej i shtrirë në divan, duke biseduar në telefon. Pas kësaj ngjarje i pandehuri G. K. largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të shtëpisë së tij, për tu rikthyer në vendin e krimit pas 7-8 orësh, dhe pasi merr trupin e pajetë duke e tërhequr zvarrë me batanije, e nxjerr në oborr prapa shtëpisë, e mbulon me gjësende të ndryshme dhe i vë flakën. Me qëllim që të zhduk gjurmët, mbetjet dhe pjesë të kockave të të ndjerit i hedh jashtë shtëpisë në skaj të rrugës së lagjes”, thuhet në njoftim.

Lexo po ashtu Arrestohet një person nga Rahoveci, dyshohet se e vrau vëllain, pastaj e dogji

Me këto veprime i pandehuri, dyshohet të ketë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, vepra të sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Lexo po ashtu Rahovecasi dyshohet se vrau vëllain për 35 mijë franga që i kishte sjell nga Zvicra - ia dogji trupin për t'i humbur gjurmët

I pandehuri do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaj, i cili do të llogaritet nga data 09 prill 2020 dhe do të zgjasë deri më 09 maj 2020.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, Gëzim Pozhegu, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi caktimi i masave tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Telegrafi/