Telegrafi

Një muaj paraburgim për inspektorin e ATK-së

Gjykata Themelore në Gjakovë ka njoftuar se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një 1 muaj të pandehurit D.F., shqiptar, shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer vepër penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrjes së ryshfetit.

Në njoftimin e bërë nga Prokuroria Themelore në Gjakovë thuhet se” I pandehuri D. F. me 14 janar 2020, në Rahovec në zdrukthëtarinë “B…”, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ka keqpërdorur detyrën zyrtare në atë mënyrë që, i pandehuri D. F., duke qenë në cilësi të inspektorit të ATK-së në Prizren, e me qëllim të mos
inspektimit të punëtorisë së të dëmtuarit A. H., përmes të pandehurit tjetër B. H. ky i fundit në cilësinë e kontabilistit të në dyqanin e zdrukthëtarisë së të dëmtuarit, nga i dëmtuari A. H. ka marrë njëqind (100) euro para të gatshme si dhe një 1 tavolinë dhe katër 4 karrige në vlerë pre treqind e gjashtëdhjetë (360) euro”.

“Po ashtu me datë 14 prill 2020, i pandehuri B. H. si kontabilist i dyqanit ka marrë nga i dëmtuari A. H. edhe 500 euro të tjera të cilat para paraprakisht i dëmtuari i kishte marrë nga Njësiti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjakovë duke u zbatuar masat e fshehta teknike të hetimit, përkatësisht simulimi i veprës penale të korrupsionit. Përmes kamerave të sigurisë të cilat ishin vendosur në punëtorinë e të dëmtuarit, në zbatim
të urdhëresës së Gjykatës Themelore të Gjakovës, është arritur që i pandehuri të zihet në flagrancë dhe të arrestohet nga Policia e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Prokuroria thekson se me këtë veprime i pandehuri D. F., dyshohet që në mënyrë të tërthortë ka përfituar materialisht për vete përmes të pandehurit B. H. si kontabilist, ku dyshohet të ketë kryer dy vepra penale, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”, vepra të sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

I pandehuri do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një 1 muaj, i cili do të llogaritet nga data 14 prill 2020 dhe do të zgjasë deri më 14 maj 2020./Telegrafi/