Telegrafi

Një muaj paraburgim për 6 persona që u përfshinë në rrëmbimin në Novobërdë

Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar një muaj paraburgim për gjashtë personat që dyshohet të jenë përfshirë në rrëmbimin e dy personave, shtetas të Maqedonisë. në mesin e tyre janë përfshirë edhe zyrtarë policorë.

Rrëmbimi i dy personave u bë më 16 shkurt në një villë në fshatin Stanishor të Komunës së Novobërdës.

“Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurve V.K., M.I., B.N., V.K., F.S. dhe M.Z. Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit me datën 16 – 17 Shkurt 2021, me dashje direkte dhe me qëllim të përfitimit material, i kanë marrë dhe kanë mbajt nën kërcënimin e armës të dëmtuarit Z.R. dhe A.A., në një villë në komunën e Novobërdës, të cilët i kanë prangosur me pranga plastike, duke iu bërë video incizime, të cilat pastaj ia kanë dërguar familjarëve të të dëmtuarve. Me këto veprime, të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprën penale “rrëmbimi” vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka refuzuar kërkesën e mbrojtësve të pandehurve, për caktimin e masave alternative, duke konsideruar se caktimi i masës së paraburgimit krijon kushte për zhvillimin me sukses të procedurës penale.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.

Pesë persona, një femër dhe katër meshkuj ishin arrestuar ditë më parë pasi kanë rrëmbyer dy persona të tjerë, shtetas maqedonas.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur të martën rreth orës 22:00, në Novobërdë.

Siç thuhet në raport,  viktimave u është ofruar tretman mjekësor ndërsa me urdhër të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

“Me 17.02.2021 policia ka arrestuar pesë të dyshuar, nga ta një femër dhe katër meshkuj kosovar. Dyshohet se të njëjtit kanë rrëmbyer dy viktimat meshkuj Shqiptar shtetas nga Maqedonia e Veriut të cilët janë gjetur nga Policia. Viktimave u është ofruar tretman mjekësor ndërsa me urdhër të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

Pas kësaj ishte arrestuar edhe një tjetër person, në lidhje me po këtë rast. /Telegrafi/