Site icon Telegrafi

Një muaj paraburgim për 16 të pandehurit për fajde e detyrim në Pejë

Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 16 të pandehurve për fajde e detyrim.

Sipas komunikatës për medie, masa e paraburgimit i është caktuar të pandehurve K.K, I.C, S.D, B.M, D.P, F.ZH, T.A, A.G, P.K, V.K, A.B, L.E, SH.M, O.L, S.J dhe A.K.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, pas shqyrtimit të propozimit të prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, konstatoi se kërkesa e prokurorit është e bazuar dhe në masën e duhur e arsyetuar, meqë bëhet fjalë për vepra të rënda penale”, thuhet në komunikatë.

Lexo po ashtu 17 të arrestuar dhe pesë milionë euro pasuri e ngrirë – gjithçka nga aksioni i së martës kundër fajdeve në Pejë

Sipas komunikatës për medie, për vepër penale fajdeja nga neni 331 par.3 të KPK-së është paraparë dënimi e burgim prej tre deri 12 vjet derisa për vepër penale detyrimi është paraparë dënimi e burgim prej një deri në dhjetë vjet.

“Duke i pas parasysh karakteristikat personale të pandehurve, sjelljen e tyre të mëparshme si dhe faktit se janë identifikuar viktima të tjera të veprave penale të kryera nga të pandehurit dhe janë duke u grumbulluar prova dhe dëshmi të tjera brenda dhe jashtë vendit, të gjitha këto rrethana janë të mjaftueshme për të besuar se me gjetjen e mundshme të pandehurve në liri ose nën çfarëdo mase tjetër më të butë, ekziston rreziku i lartë se në çfarëdo mënyre do të fshihen dhe do t’iu shmangen organeve të ndjekjes”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, sipas komunikatës për medie do të ndikojnë në viktimat e rastit, do të shkatërrojnë provat, të bashkërendojnë mbrojtjen e tyre apo edhe të përfundojnë veprat për të cilat janë kërcënuar apo do t’i përsërisin veprat e njëjta penale.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit. /Telegrafi/

Exit mobile version