Telegrafi

Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit që e detyroi të abortonte femrën me të cilën bashkëjetonte

Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditësh të pandehurit Sh. H.

“I pandehuri dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme ka ushtruar presion dhe dhunë psikologjike tek bashkëjetuesja A. R., në mënyrë që të marr vendimin për abortimin e fëmijës.

Me këto veprime i pandehuri Sh. H. ka kryer veprat penale,shtrëngimi dhe shtytja në kryerjen e veprës penale ndërprerja e palejuar e shtatzënisë, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin për media.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që po të caktohej ndonjë masë më e butë, i pandehuri mund të ndikonte tek dëshmitarët.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit. /Telegrafi/