Janë bërë më shumë se një muaj nga sulmi vdekjeprurës i militantëve të Hamasit në Izrael, e bota akoma është zhytur në një krizë më të thellë sesa që ishte me fillimin e agresionit rus në Ukrainë, kurse fati i dy milionë palestinezëve në Rripin e Gazës mbetet plotësisht i paqartë.
Sulmi befasues i militantëve të Hamasit i kryer më 7 tetor, shokoi botën, për faktin se kishte përballë një ushtri tejet të fuqishme (Forcat Mbrojtëse të Izraelit – IDF-në), transmeton Telegrafi.
Masat e këtij sulmi ishin katastrofike, ku si rezultat i kësaj janë vrarë mijëra civilë e ushtarë, kurse mbi 230 persona tjerë janë marrë peng.
Një sërë vendesh nga e mbarë bota dënuan sulmin dhe shprehën mbështetjen për Izraelin, e në vizita mbështetëse shkuan presidenti amerikan Joe Biden dhe shumë liderë tjerë. Sulmi është karakterizuar si një prej më të mëdhenjve që nga formimi i shtetit të Izraelit.
Bllokimi i Rripit të Gazës
Si kundërpërgjigje e Izraelit është bllokuar plotësisht Rripi i Gazës, duke ndërprerë energjinë elektrike, ujin e pijshëm, derivatet e madje edhe barnat e ushqimin.
“Kam urdhëruar rrethimin e plotë të Rripit të Gazës. Nuk do të ketë rrymë, ujë e derivate. Gjithçka është mbyllur”, ka thënë më 9 tetor ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant.
Madje qeveria izraelite ka pranuar se qëllimi i tyre është shkatërrimi i infrastrukturës ushtarake dhe civile të Hamasit në Rripin e Gazës, por për një ofensivë tokësore është dashur të presin derisa kanë arritur forcat shtesa të ushtrisë amerikane në rajon, si mekanizëm mbrojtës kundër Iranit dhe Hezbollahut të Libanit.
Kështu Shtetet e Bashkuara në shtatë ditët e para nga fillimi i krizës, dërguan dy aeroplanmbajtëse në lindje të Mesdheut, USS Eisenhower dhe USS Geral R. Ford.
Përgatitjet e IDF-së për ofensivën tokësore janë përcjellë me bombardime masive të forcave të Hamasit dhe infrastrukturës së saj në tërë Rripin e Gazës, ku sipas institucioneve në Gazë, kanë humbur jetën mijëra civilë.
Fotografitë e blloqeve të tëra të ndërtesave kolektive të shkatërruara, kolona të refugjatëve, trupa të civilëve të vrarë dhe fotografitë e personave të pafat dhe të frikësuar, bënë xhiron e botës.
Evakuimi i palestinezëve në jug
Tingëllonte si e pabesueshme kërkesa e IDF-së të lëshuar më 13 tetor, që në një afat kohor prej 24 orësh, 1.1 milionë palestinezë civilë të largohen nga pjesa veriore e Gazës dhe të zhvendosen në jug, me arsyetimin se kjo gjë po bëhet për sigurinë e tyre.
“Do të mund të ktheheni në qytetin e Gazës në njoftimin e radhës, ku do t’ju bëhet e ditur se lejohet një gjë e tillë. Mos iu afroni rajonit të gardhit mbrojtës me shtetin e Izraelit. Terroristët e Hamasit po fshihen në qytetin e Gazës brenda tuneleve nën shtëpi, dhe brenda ndërtesave ku jetojnë civilë të pafajshëm në Gazë”, është thënë ndër tjera nga IDF-ja.
Përfaqësues të Kombeve të Bashkuara kanë bërë të ditur se është e pamundur të zbatohet urdhri i IDF-së. Në anën tjetër, mediat izraelite publikuan dokumentin e inteligjencës që i rekomandon qeverisë zhvendosjen e dy milionë palestinezë në gadishullin Sinai të Egjiptit, që i dha një dimension krejt tjetër kërkesës fillestare të IDF-së.
Fillimi i ofensivës tokësore dhe implikimi i mundshëm i Teheranit
Në fund të tetorit, IDF-ja filloi me hyrje të kufizuara tokësore në Rripin e Gazës, të cilat gradualisht u intensifikuan me qëllim të shkatërrimit të tuneleve në të cilat fshihen militantët e Hamasit. Më 1 nëntor, komandanti i IDF-së, gjeneral Itzik Cohen, tha se forcat e IDF-së janë aktualisht thellë në Rripin e Gazës, “në portat e qytetit të Gazës”.
Me shpresën se do të parandalojnë ofensivën tokësore të forcave izraelit, autoritetet iraniane dhe të Hezbollahut prej ditësh kanë dërguar mesazhe kërcënuese, e numri i incidenteve dhe përplasjeve sporadike të IDF-së me Hezbollahun në kufirin e Libanit, janë bërë çdo herë e më të mëdha. Megjithatë kjo nuk e rrezikoi hapjen e një fronti tjetër në veri.
Fjalimi i shumëpritur i liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah gjatë 3 nëntorit, nuk ka ndryshuar asgjë në këtë aspekt.
“Disa pretendojnë se Hezbollahu do t’i bashkohet luftës. Po ju them: Ne jemi në këtë luftë nga 8 tetori. Kjo që po ndodhë përgjatë kufirit Izrael-Liban është e rëndësishme dhe ky nuk është fundi”, tha ai.
Bartja e fokusit nga Ukraina në Lindjen e Mesme
Ofensivës tokësore të IDF-së në Rripin e Gazës nuk po i duket fundi. Qindra pjesëtarë të Hamasit të vrarë, dhe dhjetëra ushtarë izraelitë që e pësuan me jetë.
Megjithatë, numri më i madh i të vrarëve janë civilë. Sipas të dhënave të institucioneve në Rripin e Gazës që kontrollohen nga Hamasi, deri më tani janë vrarë mbi 10 mijë persona, që ka nxitur reagime të ashpra të vendeve perëndimore që kërkojnë t’i jepet fund këtij konflikti.
Shumica e vendeve të botës përmes një Rezolute të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kanë bërë thirrje për armëpushim dhe hapjen e korridoreve që do t’ju ofronin ndihmë palestinezëve civilë.
Kështu fokusi i opinionit në mbarë botën nga konflikti në Ukrainë është bartur në Lindjen e Mesme, ku ka polarizim qëndrimesh në veçanti në vendet e perëndimit, ku pothuajse në çdo qytet janë organizuar tubime në mbështetje të palestinezëve, por edhe të atyre që mbështesin Izraelin. /Telegrafi/