Site icon Telegrafi

Një mori vendesh po iu bëjnë thirrje shtetasve të tyre të largohen nga Ukraina

Një mori vendesh iu kanë kërkuar shtetasve të tyre të largohen nga Ukraina, mes paralajmërimeve në rritje për një pushtim rus.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, zyra e jashtme britanike tha se të gjithë shtetasit e Mbretërisë së Bashkuar “duhet të largohen tani ndërsa mjetet tregtare janë ende në dispozicion”.

Udhëheqësit e NATO-s kanë mbajtur një takim, pas të cilit Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg tha se blloku qëndronte “i bashkuar dhe i përgatitur për çdo skenar”.

Rusia ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo plan për pushtimin e Ukrainës, pavarësisht se ka grumbulluar më shumë se 100 mijë trupa pranë kufirit.

Por vendi sapo ka filluar stërvitjet masive ushtarake me Bjellorusinë dhe Ukraina ka akuzuar Rusinë për bllokimin e daljes së saj në det.

Kremlini thotë se dëshiron të zbatojë “vijat e kuqe” për t’u siguruar që ish fqinji i tij sovjetik të mos bashkohet me NATO-n.

Ndër vendet e tjera që po i bëjnë thirrje qytetarëve të saj të largohen nga Ukraina, janë ato si Holanda, Japonia dhe Koreja e Jugut. Në paralajmërimin e saj, Letonia përmendi “një kërcënim serioz për sigurinë të paraqitur nga Rusia”.

SHBA-ja gjithashtu iu ka thënë qytetarëve të saj që të largohen, derisa Presidenti amerikan, Joe Biden tha se ai nuk do të dërgojë trupa për të shpëtuar shtetasit e mbetur të bllokuar në rast të ndonjë pushtimi rus. /Telegrafi/

Exit mobile version