Katërmbëdhjetë fëmijë dhe një mësues janë vrarë në një shkollë fillore në Teksas nga një person i armatosur 18-vjeçar, i cili më pas u qëllua për vdekje nga policia.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, guvernatori Greg Abbott tha se bëhet fjalë për 18-vjeçarin Salvador Roma, student në shkollën e mesme Uvalde, si personin e armatosur që hapi zjarr në shkollën fillore të martën pasdite, sipas kohës lokale.
Por më vonë u sqarua se emri i tij ishte Salvador Ramos ndërsa u bë e ditur se viktimat e tij nxënës ishin të moshës nga shtatë deri në 11 vjeç.
“Ai qëlloi dhe vrau – në mënyrë të tmerrshme dhe të pakuptueshme – 14 nxënës dhe një mësues”, ka thënë Abbott në një konferencë për shtyp.
Ndryshe, siç shkruan Daily Mail, rrjetet sociale të Ramos ishin plot me foto të armëve, të cilat ai i bleu legalisht në ditëlindjen e tij të 18-të.
Shkolla Fillore Robb, e cila ka 600 nxënës të regjistruar, ndodhet në qytetin e Uvalde.
Ramos, i pajisur me një pistoletë dhe ndoshta një pushkë, dyshohet se ka qëlluar gjyshen e tij, gjendja e së cilës ende nuk dihet, përpara se të hynte në shkollë dhe të hapte zjarr, tha Abbott.
Të shtënat kanë nisur rreth orës 11:32.
Fotot tregojnë një kamionçinë që u përplas jashtë shkollës, të cilin, sipas Abbott, Ramos e braktisi para se të hynte në shkollë.
Ai më pas u përfshi në një përplasje me armë me agjentët e patrullës kufitare që mbërritën në vendngjarje. Njëri prej agjentëve ka mbetur i plagosur, por pritet të mbijetojë.
Për më tepër, trembëdhjetë fëmijë të tjerë po trajtohen nga ekipet mjekësore.
Ndërkohë disa pamje të shpërndara gjerësisht duket se tregojnë se si i armatosuri i dyshuar i afrohet shkollës ndërsa në sfond shpërthejnë ato që tingëllojnë si të shtëna me armë zjarri.
Kryetari i bashkisë së Uvalde, Don McLaughlin, tha për Fox News se të shtënat ndodhën jashtë hapësirave të shkollës dhe se pasi qëlloi një person, personi i armatosur vrapoi drejt shkollës ku u barrikadua brenda saj. /Telegrafi/