Telegrafi

“Një makineri në fushë” – Klopp me vlerësim të lartë për Endon

Jurgen Klopp ka ndarë mendimet e tij për mesfushorin e ri Wataru Endo, të cilin Liverpool e ka nënshkruar nga Stuttgarti.

Lojtari japonez u bashkua me The Reds në një kontratë deri në vitin 2027, ndërsa trajneri gjerman ka thënë për të se ai është një makineri në fushë.

“Jam shumë i lumtur. Wataru është një lojtar vërtet i mirë. Unë e di se si shkojnë gjërat në botën e futbollit, por shikoni, ai është një lojtar vërtet i mirë”, ka thënë Klopp në konferencë për media.

Lexo po ashtu Zyrtare: Wataru Endo prezantohet si lojtar i Liverpoolit

“Lojtar me eksperiencë, kapiten i Stuttgartit, kapiten i Japonisë, flet mirë anglisht, person i mirë, familjar, makineri në fushë, futbollist i mirë mbi të gjitha, qëndrim sensacional”.

“Pra, unë jam shumë i lumtur. Ai është një futbollist i mirë, me shumë përvojë dhe i pëlqen të punojë jashtëzakonisht shumë”, ka potencuar më tej strategu gjerman.

Kur u pyet se çfarë i kanë thënë njerëzit nga Gjermania për Endon, trajneri u përgjigj: “Kam marrë shumë mesazhe nga ish-lojtarët e mi dhe gjëra të tilla”.

Lexo po ashtu Klopp deklarohet rreth tentimeve të dështuara për Lavian dhe Caicedon

“Të gjithë thanë: ‘Nëse është e vërtetë, kjo është një lëvizje gjeniale’. Ishte një gjë shumë pozitive nga Gjermania – ai është shumë i respektuar”.

“Mendoj se për Stuttgartin është vërtet e vështirë ta humbasësh atë, por nga ana tjetër mendoj se është gjithashtu një marrëveshje e mirë, ka mbetur edhe një vit nga kontrata e tij. Për të, është mirë”.

“Për klubin, është mirë. Për ne, është shumë mirë. Ai është shumë i lumtur që na bashkohet, gjë që është gjithashtu e mirë”, ka shtuar më tej Klopp. /Telegrafi/