Nga: Zoe Kleinman / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
Për Krishtlindje mora një dhuratë interesante nga një mikeshë – librin tim të bestseller.
Shpjegimi i teknologjisë për injorantët [Tech-Splaining for Dummies], me një titull të shkëlqyer që mban emrin dhe fotografinë time në kopertinë, si dhe ka vlerësime mjaft pozitive.
Megjithatë, ai është shkruar tërësisht nga inteligjenca artificiale [IA], me disa udhëzime të thjeshta për mua, të cilat i ka dhanë mikesha ime, Janet.
Është interesant për ta lexuar dhe në disa pjesë mjaft qesharak. Por, gjithashtu është për riparime dhe është diku midis një libri për vetëndihmë dhe një rrëfimi me anekdota.
Imiton stilin tim bisedor të të shkruarit, por është gjithashtu paksa përsëritës dhe tepër i zgjatur. Mund të ketë shkuar përtej udhëzimeve të Janetit në mbledhjen e të dhënave për mua.
Disa fjali fillojnë me “si një gazetare e njohur e teknologjisë …” – sa e sikletshme – të cilat mund të jenë marrë nga një biografi e imja në internet.
Gjithashtu, ka një halucionacion të përsëritur të çuditshëm në formën e maces sime (nuk kam asnjë manar). Dhe pothuajse në çdo faqe ka një metaforë – disa më të rastësishme se të tjerat.
Ka dhjetëra kompani në internet që ofrojnë shërbime për të shkruar libra me IA. Libri im u krijua nga BookByAnyone.
Kur kontaktova drejtorin ekzekutiv, Adir Mashiach – i cili ndodhet në Izrael – ai më tha se kishte shitur rreth 150 mijë libra të personalizuar, kryesisht në ShBA, që nga qershori 2024 kur u përqendrua në krijimin e doracakëve të udhëtimit të gjeneruar nga IA-ja.
Një kopje fizike e bestsellerit tuaj personal prej 240 faqesh, kushton 26 paundë. Kompania përdor mjetet e saj të inteligjencës artificiale për t’i krijuar ato, bazuar në një model të madh gjuhësor me burim të hapur.
Nuk po ju kërkoj ta blini librin tim. Në fakt, nuk mundeni – vetëm Janet që e krijoi, mund të porosisë kopje të tjera.
Aktualisht, nuk ka asnjë pengesë për këdo që dëshiron të krijojë një libër në emrin e dikujt tjetër, përfshirë të famshmit – edhe pse z. Mashiach thotë se ka masa mbrojtëse kundër përmbajtjes abuzive. Çdo libër përmban një deklaratë të shtypur që shpjegon se ai është fiktiv, i krijuar nga IA-ja dhe se është “vetëm për të sjellë humor dhe disponim të mirë”.
Nga ana ligjore, të drejtat e autorit i përkasin kompanisë, por z. Mashiach thekson se produkti është menduar si një “dhuratë e personalizuar shakaje” dhe librat nuk shiten më tej.
Ai shpreson të zgjerojë gamën e produkteve, duke krijuar zhanre të ndryshme si fantashkenca dhe ndoshta duke ofruar një shërbim autobiografik. Qëllimi është të krijojë një formë argëtuese të IA-së për konsumatorët – duke shitur produkte të gjeneruara nga IA-ja për klientët njerëzorë.
Është gjithashtu paksa frikësuese nëse, si unë, ti shkruan për të mbijetuar. Jo më pak për faktin se ndoshta iu desh më pak se një minutë për t’u gjeneruar dhe, të paktën në disa pjesë, tingëllon saktësisht si unë.
Muzikantë, autorë, artistë dhe aktorë nga e gjithë bota kanë shprehur shqetësimin e tyre për faktin se vepra e tyre po përdoret për të trajnuar mjetet e inteligjencës gjenerative artificiale, të cilat më pas prodhojnë përmbajtje të ngjashme me të.
“Duhet të jemi të qartë: kur flasim për të dhëna, në këtë rast, në fakt po flasim për veprat e jetës së krijuesve njerëzorë”, thotë Ed Newton Rex, themelues i Fairly Trained, një iniciativë që lobon për të drejtat e krijuesve përballë kompanive të inteligjencës artificiale.
“Janë libra, janë artikuj, janë foto. Janë vepra arti. Janë incizime … E gjithë ideja e trajnimit të IA-së është të mësojë si të bëjë diçka dhe më pas të krijojë më shumë si ajo”.
Në vitin 2023, një këngë me zëra të krijuar nga IA-ja, që imiton këngëtarët kanadezë Drake dhe The Weeknd, u bë virale në rrjetet sociale përpara se të hiqej nga platformat e transmetimit, sepse nuk ishte vepër e tyre dhe ata nuk kishin dhënë miratimin. Kjo nuk e ndaloi krijuesin e këngës të përpiqej ta nominonte atë për një çmim Grammy. Dhe, edhe pse artistët ishin të rremë, kënga u bë gjithsesi shumë e njohur.
“Nuk mendoj se duhet të ndalohet përdorimi i IA-së gjenerative, për qëllime krijuese, por mendoj se duhet të ndalohet përdorimi i IA-së për këto qëllime – kur ajo është trajnuar pa leje përmes veprave të njerëzve”, shton z. Newton Rex. “IA-ja mund të jetë shumë e fuqishme, por le ta ndërtojmë në mënyrë etike dhe të drejtë”.
Në Mbretërinë e Bashkuar, disa organizata – përfshirë BBC-në – kanë zgjedhur të bllokojnë zhvilluesit e IA-së nga skanimi i përmbajtjes së tyre në internet, për qëllime trajnimi. Të tjerat kanë vendosur të bashkëpunojnë – për shembull, Financial Times ka krijuar një partneritet me OpenAI, krijuesin e ChatGPT-së.
Qeveria britanike po shqyrton një ndryshim të ligjit që do t’u lejonte zhvilluesve të IA-së të përdorin përmbajtjen e krijuesve në internet, për të përmirësuar modelet e veta, përveç rasteve kur mbajtësit e të drejtave të autorit zgjedhin të përjashtohen.
Ed Newton Rex e quan këtë “çmenduri”.
Ai thekson se IA-ja mund të arrijë përparime në fushat si mbrojtja, kujdesi shëndetësor dhe logjistika, pa qenë nevoja të përdorë veprat e autorëve, gazetarëve dhe artistëve.
“Të gjitha këto mund të funksionojnë pa ndryshuar ligjin e të drejtave të autorit dhe pa shkatërruar jetesën e krijuesve në vend”, argumenton ai.
Baronesha Kidron, një anëtare e pavarur e Dhomës së Lordëve, gjithashtu është kundër ndryshimeve në ligjin për të drejtat e autorit në favor të IA-së.
“Industritë krijuese janë burim pasurie, me 2.4 milionë vende pune dhe shumë kënaqësi për njerëzit”, thotë Baronesha e cila gjithashtu është këshilltare në Institutin për Etikën e IA-së në Universitetin e Oksfordit.
“Qeveria po minon një nga industritë e saj më të suksesshme për një premtim të paqartë rritjeje”.
Një zëdhënës i qeverisë tha: “Nuk do të merret asnjë vendim derisa të jemi plotësisht të sigurt se kemi një plan të zbatueshëm që arrin secilin nga objektivat tanë: më shumë kontroll për mbajtësit e të drejtave për të licencuar përmbajtjen, qasje në materiale me cilësi të lartë për të trajnuar modelet kryesore të IA-së në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe më shumë transparencë për mbajtësit e të drejtave nga zhvilluesit e IA-së”.
Sipas planit të ri të qeverisë britanike për inteligjencën artificiale, një bibliotekë kombëtare e të dhënave, që përmban të dhëna publike nga një gamë e gjerë burimesh, do të vihet gjithashtu në dispozicion të studiuesve të IA-së.
Në ShBA, e ardhmja e rregullave federale për kontrollin e IA-së është tani e pasigurt pas rikthimit të Donald Trumpit në Presidencë.
Në vitin 2023, Joe Biden nënshkroi një urdhër ekzekutiv që synonte të rriste sigurinë e IA-së. Ndër të tjera, ai detyronte kompanitë e sektorit që të ndanin – me qeverinë amerikane – detaje mbi funksionimin e sistemeve të tyre përpara se ato të hidheshin në treg.
Por, Trumpi e ka shfuqizuar tashmë këtë urdhër. Mbetet për t’u parë se çfarë do të bëjë ai në vend të tij, por thuhet se dëshiron që sektori i IA-së të përballet me më pak rregullime.
Kjo po ndodh teksa një numër padish kundër kompanive të IA-së, veçanërisht kundër OpenAI-së, po vazhdojnë në ShBA. Ato janë ngritur nga një gamë e gjerë – nga New York Times te autorët, kompanitë muzikore, madje edhe komedianët.
Ata pretendojnë se kompanitë e IA-së kanë shkelur ligjin duke marrë përmbajtjen e tyre nga interneti pa leje dhe duke e përdorur për të trajnuar sistemet e tyre.
Kompanitë e IA-së argumentojnë se veprimet e tyre bien nën parimin e “përdorimit të ndershëm” dhe se, për këtë arsye, janë të përjashtuara nga shkelja e të drejtave të autorit. Ka disa faktorë që përcaktojnë “përdorimin e ndershëm” – nuk ka një përkufizim të thjeshtë dhe të prerë. Megjithatë, sektori i IA-së po përballet me një kritikë mbi mënyrën se si mbledh të dhëna për trajnimin e modeleve dhe nëse duhet të paguajë për to.
Nëse gjithë kjo nuk do të mjaftonte për të reflektuar, kompania kineze e IA-së, DeepSeek, ka tronditur industrinë javën e fundit. Aplikacioni i saj falas u bë më i shkarkuari në dyqanin e Apple-it në ShBA.
DeepSeek pretendon se ka zhvilluar teknologjinë e saj me një pjesë të vogël të kostos së kompanive si OpenAI. Suksesi i saj ka ngritur shqetësime për sigurinë në ShBA dhe ka vënë në rrezik dominimin aktual amerikan në këtë sektor.
Sa për mua dhe karrierën time si autore, mendoj se, për momentin, nëse dua vërtet një “bestseller”, do të më duhet ta shkruaj vetë. Në fakt, Shpjegimi i teknologjisë për injorantët nxjerr në pah dobësitë aktuale të mjeteve të IA-së gjenerative për projekte më të mëdha. Plot me pasaktësi dhe “halucinacione”, ai mund të jetë mjaft i vështirë për t’u lexuar në disa pjesë, sepse është tepër i zgjatur dhe i ngatërruar.
Por, duke parë se sa shpejt po evoluon kjo teknologji, nuk jam më aq e sigurt se për sa kohë do të mund të mbetem e bindur që aftësitë e mia njerëzore, më të ngadalta në të shkruar dhe redaktuar, janë ende më të mira. /Telegrafi/