Telegrafi

Një i lënduar rëndë në “Asllan Çeshme” të Pejës, si pasojë e kontaktit me rrymën

Një person ka pësuar lëndime të rënda në Pejë, si pasojë e kontaktit me energjinë elektrike në shtëpinë e tij, në rrugën e “Mbreti Bardhyl” në lagjen “Asllan Çeshme”, e cila ditë më parë u goditë nga vërshimet.

Ngjarja ka ndodhur pasdite, ndërsa i lënduari është dërguar në Spitalin e Përgjithshëm Rajonal të Pejës.

Mësohet se i lënduari në spital ka arritur në gjendje kritike.

Lajmin për ‘RADIO 1’ në cilësinë e mjekut kujdestar e ka konfirmuar Dr. Besnik Ibraj – drejtor Mjekësor i Spitalit.

“Pacienti ka ardhur në gjendje të rëndë. Për rreth një orë e kemi reanimuar dhe kemi arritur t’ia kthejmë ritmin. Pra pas një maratone të reanimimit kardiopulmonar. E kemi referuar në repartin intensiv ku ndodhet i intubuar. Shpresoj që të mos jetë ‘decerebru’”, tha Ibraj.

Ngjarjen e rëndë e konfirmon edhe Policia Rajonale e Pejës.

“Policia rreth orës 18:25 minuta ka marrë informatë nga spitali, për një person rreth 50 vjeçar që ka arritur në gjendje kritike, si pasojë e kontaktit me rrymën. Ngjarja ka ndodhur në rrugën ‘Mbreti Bardhyl’ në ‘Asllan Çeshme’ të Pejës. Ekipet e mjekëve po bëjnë të pamundurën, ndërsa për momentin nuk kemi mundësi për asnjë informacion shtesë meqë hetuesit kryejnë punët në vendngjarje”, deklaroi toger Fadil Gashi, zëdhënës i Policisë Rajonale të Pejës.