Site icon Telegrafi

Një lajm i mirë vjen nga Gjermania: Rritja e rasteve me coronavirus duket se po ngadalësohet

Rritja e rasteve me coronavirus në Gjermani duket se po ngadalësohet, tha të enjten qendra e kontrollit të sëmundjes së vendit.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, shifra kryesore e “riprodhimit” ka rënë nën 1 në 0.89, sipas Institutit Robert Koch (RKI) me qendër në Berlin.

Kjo do të thotë që 100 njerëz po infektojnë 89 të tjerë: një shenjë që infeksionet e reja po bien.

“Kurba është duke u rrafshuar”, ka thënë kreu i RKI, Lothar Wieler, duke treguar “ne nuk jemi të pashpresë kundër këtij virusi”.

Ai shtoi se kufizime të tilla si distancimi shoqëror dhe mbajtja e maskave mund të ndihmojnë në ndalimin e “marshimit” të COVID-19, shkruan DW.

“Ne duhet të parandalojmë që situata të përkeqësohet”, ka shtuar Wieler, duke theksuar se qëllimi i Gjermanisë është të ulë numrat e infeksioneve në një nivel që sistemi i kujdesit shëndetësor mund të përballojë.

Cila është situata aktuale në Gjermani?

Gjermania raportoi 21,866 infeksione të reja gjatë 24 orëve të fundit, sipas të dhënave të RKI të lëshuara të enjten.

Numri i përgjithshëm i rasteve tani qëndron në 727,553 me një numër të vdekurish prej 11,982.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka paralajmëruar se vetëm kur 60 deri në 70% e popullsisë ka arritur imunitetin mund të konsiderohet se COVID-19 është “kapërcyer pak a shumë”.

Më parë këtë muaj, qeveria gjermane vendosi masa të reja bllokimi për të ngadalësuar përhapjen e virusit.

Ministrat urdhëruan mbylljen e restoranteve, bareve dhe qendrave kulturore. Shkollat dhe kopshtet qëndrojnë të hapura. /Telegrafi/

Exit mobile version