Ajo komunikon si askush tjetër. Është arti me të cilin ajo shpreh jo vetëm kreativitetin, por edhe shpirtin e gjallë.
Dafina Gjikolli është një artiste e veçantë shqiptare që i takon botës digjitale, një gjeneratë e re e të bërit art të bukur në një botë të pakufishme, të cilës ajo i qaset në formë multi dimensionale.
Dafina ekspozitën e fundit e pati në Tiranë, ku më 27 prill prezantoi “Multiverse”, një koleksion artistik që shpalosi zhurmën e saj të heshtur artistike.
Por, përtej ekspozitave dhe lëvizjeve të zakonshme të artistëve, Dafina me plot të drejt është multi dimensionale. Arti i saj mahnit përtej kufinjve, ku së fundmi punoi edhe për revistën Roots Magazine.
Ajo realizoi dy punë të ndryshme artistike për këtë revistë në një editorial të punuar nga Mickael Carpin e fotosesion nga Franck Glenisson.
Yjet e muzikës ëndërrojnë të punojnë me të, sepse artin abstrakt ëndërrues e transmeton ajo. Ndryshe.
Dafina Gjikolli punoi edhe me Dafina Zeqirin – Dy Dafinat artistikisht të zjarrta erdhën në projektin “Hero” të këngëtares shqiptare.
Ajo realizoi punim artistik edhe për Dua Lipën, e cila nuk është sekret që përfaqëson po ashtu një karakter që shpesh e transmeton në formë abstrakte.
Në një intervistë të fundit për revistën nga Los Angeles, Over Dressed, artistja flet me ëndje për Prishtinën si një qytet arti.
“Komuniteti është ngritur shumë. Të gjithë janë përkrahës për artin e njëri-tjetrit dhe kështu ne punojmë së bashku sigurojmë vëmendjen për artin e Kosovës. Kosova është vend i vogël, me progres të madh. Me artin tim, tentoj që të sjelli ndriçueshmëri në vendin tim, kreativitet dhe mbi të gjitha veçanti. Forma ime e artit është ende e panjohur në botë, por për momentin të gjithë janë përkrahës dhe besoj se është shumë me rëndësi që së shpejti të sjelli rezultate konkrete”, tha ajo për Over Dressed në një intervistë për revistën e njohur.
Me artin e saj, Dafina pa dyshim se bën diferencën me artin e saj për Kosovën në mbarë botën. /Telegrafi/