E ardhmja e Joshua Zirkzees ka marrë një kthesë të papritur, me raportimet e fundit që bëjnë me dije se ai mund të mbetet pjesë e Ligës Premier edhe në rast largimi nga Manchester United.
Zirkzee iu bashkua Unitedit nga Bologna në verë duke nënshkruar një kontratë pesëvjeçare.
‘Djajtë e Kuq’ shpenzuan 34 milionë euro për të siguruar shërbimet e holandezit dhe shpresuan se ai do të jetë një ‘armë shtesë’ në fazën e sulmit.
Ai shijoi një debutim ëndrrash duke shënuar ndaj Fulhamit pasi u fut në lojë nga banka rezervë në xhiron hapëse të kampionatit.
Sidoqoftë, Zirkzee është raportuar se do të bëjë një rikthim në Itali, atje ku klube si Juventus, Milan dhe Napoli thuhet se janë shumë të interesuara për transferimin e tij.
Sipas një raportimi nga Caught Offside, Ruben Amorim tashmë ka vendosur që Zirkzee nuk do të jetë pjesë e planeve të tij, dhe po punon për t’i gjetur atij një klub të ri.
Në një kthesë interesante të kësaj situate, Zirkzee mund të marrë një mundësi për ta vazhduar karrierën në Angli, pasi Aston Villa i është bashkuar garës për transferimin e ish-yllit të Bayern Munich.
Pas disa rezultateve të dobëta së fundmi, Aston Villa ka përfunduar në pozitën e tetë në tabelë pas 12 ndeshjeve të luajtura.
Ndonëse në radhët e tyre trajneri Unai Emery ka emra si Ollie Watkins dhe Jhon Duran, ai po e sheh këtë si të pamjaftueshme për të arritur objektivat e klubit dhe po kërkon transferimin e Zirkzees./Telegrafi/