Site icon Telegrafi

Një kalërim nga Mali i Zi për në Shkup: Shqiptari kokëfortë që refuzon të zotërohet nga dikush

Kjo është një pjesë e ditarit të kolonelit Aubrey Herbert, mikut më të madh që kanë pasur shqiptarët. Fjala është për udhëtimet e tija që gjenden në librin “A Record of Eastern Travel”. Udhëtimi i tij në Ballkan fillon nga Italia për në Mal të Zi. Pastaj Bosnjë, Shqipëri, Kosovë e deri në Shkup. Kjo pjesë ka të bëjë me përshtypjet historike të tija për shqiptarët dhe përshkrimi i tij për mentalitetin e malazezëve.

Fati dhe prirja më kanë dërguar vazhdimisht në Shqipëri nga viti 1907 deri më 1918 kur Ministria e Luftës më stacionoi në Vlorë për një kohë të konsiderueshme. Gjatë këtyre viteve kam pasur rastin që ta shoh se sa i shpëtueshëm ka qenë fati i këtij vendi të vogël që thurej me atë të historisë së Evropës.

Në kohën e vizitës sime të parë në Shqipëri, pasiguria endemike rritej dhe ishte paralajmëruese, jo për shpërbërjen e Perandorisë Otomane, por për ankthin e njësive të kësaj perandorie për ardhmërinë e fatit të tyre. Shqiptarët e parashikonin se çka mund të ndodhte. Në verën e vitit 1902, Rusia me forcë ia doli që ta dërgonte konsullin e saj, M. Stcherbina, në Mitrovicë, ku ai jetoi vetëm disa muaj para se të vritej në një kryengritje lokale të cilën thuhej se ai e kishte provokuar vet. Vitin që pasoi u paraqit lufta Ruso-Japoneze, si një kapitull në mosmarrëveshjet në mes Lindjes dhe Perëndimit, në të cilën të gjitha shenjat qonin në një fakt që Lindja po i braktiste bindjet e saja të vjetra në dominimin evropian, proporcionalisht pasi që po i adoptonte rrobat dhe mitralozat e Perëndimit.

Në Shqipëri kjo pati një efekt që prodhoi dy gjëra në kryqëzimin e rrjedhës së opinionit. Shqiptarët ishin evropianë, por evropianë gjaku i zjarrtë i të cilëve është derdhur me shekuj për ta zmbrapsur invazionin sllav. Shqipëria nominalisht ka qenë pjesë e Perandorisë Otomane. Shqipëria ka qenë si një djalosh kokëfortë që refuzon të zotërohet nga dikush, por sovraniteti otoman i përgjumur nuk ka ndërhyrë në jetën nacionale derisa ofroi një lloj mbrojtje kundër sllavëve dhe grekëve. Gjatë këtyre viteve Shqipëria varej nga axha i saj plak por i pasur, Turqia, dhe nga patroni pak më bashkëkohor, Austria.

Në vitet e fundit, Shqipëria, falë pozitës së saj kyçe, ka krijuar influencë tërësisht në mënyrë disproporcionale në krahasim me madhësinë e saj. Ka qenë prizë dhe fortifikatë, për të cilën kanë luftuar Jugosllavët nën patronazhin e Rusisë; toka që me pozitën e saj do t’i jepte siguri Italisë dhe një det të rrethuar me tokë; territor që obsesionoi mendjet e shtetarëve grekë.

Mendoj se ka qenë viti 1907 kur e kam bërë udhëtimin e parë në Shqipëri. Isha duke qëndruar në Itali dhe u largova për Mal të Zi në verë, duke e marrë me vete edhe djalin e qiramarrësit italian si shërbëtor timin. Pa ndonjë aventurë vazhduam për në Bokë të Kotorrit ku kaluam nëpër një labirint të ujit për në portin primitiv austriak. Aty, për herë të parë, pashë një jopëlqyeshmëri të theksuar të një italiani për Jugosllavët. Shërbëtori im, Marcantonio, pas disa minutave në skele, erdhi dhe më tha me zemërim: ’Më mirë do të isha i vdekur në ndonjë fshat në shtëpi sesa i gjallë në këtë vend. Të mendosh se mbreti ynë ka ardhur këtu për t’u martuar?! Këta njerëz kundërmojnë.’

Pamë se 106 turistë të Cook-ut [agjenci turistike britanike] kishin ardhur para nesh, të prirë nga e njëjta dëshirë sikur e imja, për ta parë princin malazez duke ndarë drejtësi vetëm nën hijen e ndonjë lisi. Ndoshta vlen të thuhet se drejtësia e vetme dhe lisat në Mal të Zi, njësoj, janë të rrallë.

Morëm karrocën e fundit që kishte mbetur me çmim të profiterit dhe u ngjitëm malit të lartë me zigzage të inxhinieruara mirë. Pasi që rruga zgjatej lart e më lart, dielli perëndoi në Adriatik, filigrani i lumit të shtrembëruar të Bokës së Kotorrit shndriste i skuqur në mes hijeve të ngjyrës vjollcë kurse maja e lartë e Llovqenit rrinte e vrerët mbi ne si një vizatim brilant i dritës.

Ishte verë e nxehtë, por ende kishte shtresa të borës mbi të cilën turistët kishin shkruar emrat e tyre. Hëngrëm një darkë të vobektë me mish derri në një han, para se të mbërrinim në Cetinë. Në kryeqytet i gjetëm ata 106 turistët e Cook-ut, që i kishin zënë të gjitha vendet e mundshme. Më në fund e gjetëm një dhomë për mua dhe shërbëtorin tim italian. Të nesërmen e gjeta letrën e Charles de Graz-it, ministrit tonë në Mal të Zi, një mik i imi i vjetër, që thoshte se nuk pajtohej që unë ta kaloja kufirin për Shqipëri.

Shkova në bankën e Malit të Zi dhe provova ta këmbeja një çek të 10 funteve. Kjo gjë e debalansoi kreditin e bankës së Malit të Zi, por në vend të kësaj ma dhanë një letër të Edith Durham-it që më ishte adresuar mua. U largova duke thënë se do të kthehem të nesërmen dhe me largimin e turistëve të Cook-ut, gjeta një dhomë në hotel. Qyteti ishte aq i pa konsideratë sa që i vetmi dallim ishte se ishte kryeqytet; por njerëzit ishin të gjatë dhe luftarakë dhe kishin cilësinë e malësorëve. Ata ishin arrogantë sikur bijtë e vegjël, të mbushur me mburrje për të arriturat e tyre, por të varfër nga xhepi. Në Kotorr kishte ndodhur një ngatërrim në mes një lundruesi austriak dhe një malazezi.

‘Na shikoni neve’, kishte thënë malazezi (kështu më treguan) ‘ne jemi pasqyra e sllavizmit’.

‘Po, jeni një xham tejet i papastër!’, ia kishte kthyer austriaku.

Turqia në të kaluarën i ka mundur dhe i ka dominuar Bosnjën, Hercegovinën dhe Serbinë. Prijësit e mëdhenj të këtyre provincave e kanë adoptuar islamin; fshatarësia e varfër ishte hibernizuar duke e ruajtur vetëm llumin e paragjykimeve të krishterimit. Malazezët vërtetë janë dukur si kalorës në Evropën Perëndimore; zemra e një vendi të vogël, i përbërë nga imigrantët dhe të ikurit e pamposhtur, nuk janë dorëzuar kurrë.

Kaluan disa ditë para se të kthehesha në bankë. Thashethemet e dëshirës sime për 10 funtet ishin shpërndarë nëpër Cetinë dhe një pjesë e popullatës, e armatosur me revole dhe thika, shikonin me interesim jo inteligjent ndërrimin e një çeku aq të madh. Shërbëtori im u mallëngjye për vendin e tij sikur të ishte pëllumb dhe u kthyer në shtëpi të njëjtën ditë kur unë mora me qira një mushkë për makinën time të shkrimit dhe dy gra udhërrëfyese për të udhëtuar në Rijeka.

Nganjëherë takoja malazezë që flisnin italisht dhe disa që kishin qenë në ShBA dhe flisnin një anglishte të thyer. Rrinin ulur dhe pinin duhan. Ishte inkurajuese të dëgjoje tregimet e tyre të përgjakshme për luftërat e kufijve të rrëfyera me një gjuhë fëmijërore. Turku ishte armiku i tyre, pastaj shqiptarët. Sapo kishin filluar të dilnin nga gjendja e lartësuar fisnore.

Realpolitika për herë të parë po gërvishtej për të zënë vend në shtetin e tyre të egër. Mali i Zi, djali i vogël dhe pionieri i Rusisë, deri në këtë kohë i pasofistikuar, i kishte martuar princeshat e veta në Itali dhe Serbi. Fëmijët e tyre kërkonin favore nga Austria dhe nga fqinjët kurse emigrantët që ishin kthyer flitnin për civilizimin e Nju-Jorkut dhe bënin krahasime me pasuritë e Beogradit.

/Telegrafi/

Exit mobile version