Site icon Telegrafi

Një javë pas kryengritjes, ku është Prigozhin?

Shtetet e Bashkuara nuk e dinë vendndodhjen e shefit të Wagner, Yevgeny Prigozhin, i cili udhëhoqi një rebelim jetëshkurtër fundjavën e kaluar në Rusi dhe nuk është parë në publik për një javë.

Prigozhin u pa për herë të fundit duke u larguar nga qyteti jugor rus i Rostov-on-Don të shtunën, pasi anuloi befas marshimin e trupave të tij në Moskë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

“Ne nuk kemi qartësi se ku është zoti Prigozhin ose ku janë të gjithë luftëtarët e tij”, citohet të ketë thënë John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.

Sipas presidentit bjellorus, Aleksandër Lukashenko, shefi i Wagner mbërriti në Bjellorusi të martën.

Lexo po ashtu Si erdhi deri te armiqësia ndërmjet forcave mercenare Wagner dhe ushtrisë ruse

Ndërsa nuk ka video apo foto që tregojnë Prigozhin atje, imazhet satelitore të një baze ajrore jashtë Minskut treguan dy aeroplanë të lidhur me Prigozhin që u ulën atje të martën në mëngjes.

Ndërsa të premten, Lukashenko ftoi mercenarët e Wagnerit për të trajnuar ushtrinë e tij.

“Për fat të keq, ata (mercenarët e Wagnerit) nuk janë këtu”, tha ai.

Ndërkohë, grupi mediatik Patriot, i cili është i lidhur me Prigozhin, njoftoi se po mbyllet.

Dhe rregullatori rus i medias Roskomnadzor ka kufizuar qasjen në faqet e mediave që i përkasin grupit mediatik Patriot. /Telegrafi/

Exit mobile version