Subjektet politike në Kosovë po vazhdojnë fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit, duke intensifikuar aktivitetet e tyre për të fituar mbështetje nga qytetarët.
Partitë politike kanë prezantuar disa pika nga programet e tyre, ku edhe kanë bërë premtime para qytetarëve, transmeton Telegrafi.
Gjithashtu, fushata përgjatë këtyre ditëve u shoqërua edhe me akuza të ashpra ndaj njëri-tjetrit. Për gjuhën ofenduese dhe akuzat e bëra në tubimet me qytetarë, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka shqiptuar disa gjoba, mijëra euro për LVV, LDK dhe AAK, transmeton Telegrafi.
Në anën tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon me përgatitjet për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka dhënë një pasqyrë të detajuar rreth përgatitjeve dhe situatës aktuale për zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Që nga mesi i muajit gusht të vitit 2024, kur presidentja ka shpallur datën e zgjedhjeve, KQZ ka filluar me përgatitjen e këtij procesi. Një nga hapat e parë që ka KQZ-ja është miratimi i planit ku janë listuar të gjitha punët që duhet t’i kryej KQZ-ja. Në përgjithësi, përgatitjet po shkojnë bazuar në këtë plan”, ka thënë Elezi për Telegrafin.
Ndryshe, më 9 janar 2025, ka filluar edhe periudha 31 ditore e votimit përmes postës për të gjithë shtetasit e Kosovës të cilët janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës dhe që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi.
• duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës, apo
• duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.
Kandidatë për kryeministër janë Albin Kurti (Lëvizja Vetëvendosje), Bedri Hamza (Partia Demokratike e Kosovës), Lumir Abdixhiku (Lidhja Demokratike e Kosovës) dhe Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Zgjedhjet e 9 shkurtit, do të monitorohen edhe nga vëzhguesit e Bashkimit Evropian.
Për këtë, gjatë kësaj jave, ata janë pritur në takim nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, të cilët edhe kanë kërkuar që procesi të jetë demokratik, dhe qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre për votë. /Telegrafi/