Rreth 6.000 pasagjerë janë bllokuar në një anije lundrimi italiane pasi një grua u sëmurë me një rast të dyshuar të coronavirusit vdekjeprurës.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, anija Costa Smeralda po mbahet afër Civitavecchia, 35 milje nga Roma, pasi një grua kineze, 54 vjeçe, filloi të shfaqte simptoma të virusit i cili ka vrarë 170 njerëz dhe ka infektuar 7,711 të tjerë.
Gruaja dhe burri i saj – për të cilin nuk besohet se ka simptoma – u vendosën menjëherë në “karantinë” dhe janë testuar për coronavirusin, raporton Corriere della Sera.
Personi, i cili nuk është identifikuar, thuhet se ka kontaktuar me mjekët në bord të mërkurën në mbrëmje, duke thënë se ajo kishte një temperaturë dhe po vuante nga problemet e frymëmarrjes.
Rezultatet pritet të dalin këtë pasdite, me 6.000 pasagjerë të tjerë të ndaluar të lënë anijen.
Costa Smeralda, e cila mori udhëtimin e parë në dhjetor, aktualisht është në ditën e fundit të një lundrimi që filloi në Civitavecchia më 23 janar.
Çifti besohet se kanë hipur në Savona më 25 janar, pasi kishin fluturuar nga Hong Kongu në aeroportin ndërkombëtar të Milanos në të njëjtën ditë. /Telegrafi/