Telegrafi

Një grua britanike gjen vdekjen pasi “përfshihet” nga një ortek në Alpet franceze

Një grua britanike, 45 vjeçe, ka vdekur pasi u përfshi nga një ortek teksa po ecte me dy persona të tjerë në Alpet franceze, thanë shërbimet e shpëtimit.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, aksidenti ndodhi të shtunën në akullnajën Argentière, një nga akullnajat më të mëdha të Mont Blanc.

Njësia e specializuar e kërkimit dhe shpëtimit në malet e larta e policisë franceze në Chamonix tha se u lajmërua nga një udhërrëfyes rreth orës 17:00 me kohën lokale.

Punonjësit e shpëtimit dhe një mjek u dërguan me helikopter për ta shpëtuar atë. Por ata nuk ishin në gjendje ta “ringjallin” gruan, tha koloneli Bertrand Host i njësisë së shpëtimit malor.

Policia ka nisur hetimet për vdekjen e gruas.

Zyra e prokurorit publik lokal tha se gruaja dhe partneri i saj kishin qenë duke bërë ski me një udhërrëfyes malor të lartë dhe po ngjiteshin në Col du Tour Noir kur ndodhi orteku.

Ndërkohë autoritetet kanë konfirmuar se ekzistonte një rrezik paralajmërues orteku prej tre në një shkallë prej pesë të shtunën.

Kështu, Prokurori ka hapur një hetim për vrasjen për të përcaktuar rrethanat e vdekjes së gruas dhe ka urdhëruar ekspertizën pas vdekjes. /Telegrafi/