Para fillimit të Konferencës së Paqes në Paris (1918), dy kampionët e pavarësisë së Shqipërisë, Aubrey Herbert dhe Edith Durham, mundohen t’i pajtojnë shqiptarët e përçarë dhe të formojnë një delegacion për konferencë. Personalitetet shqiptare kanë probleme të mëdha. Nuk flasin mes veti, e akuzojnë njëri-tjetrin për tradhti dhe nuk janë të vetëdijshëm për situatën e rëndë, në të cilën gjendet vendi i tyre. Në këtë letër, të cilën Durham ia dërgon Herbertit, njeriut i cili qëndronte pas organizimit të delegacionit, shihen disa probleme serioze që ka prodhuar naiviteti i personaliteteve shqiptare. Nga kjo letër shihet që as sot nuk është më mirë se atëherë.
Nga: Edith Durham (letër Aubrey Herbertit, më 1918)
Përktheu dhe përgatiti: Daut Dauti
I dashur kolonel Herbert,
është shumë vështirë të dihet se si të mbushen mend këta njerëz. Unë mendoj se sa më pak që i shkruani I. K.-së [Ismail Qemalit] është më mirë pasi që nuk dihet se si do t’i shtrembërojnë dhe keq-citojnë thëniet tua. Nëse I. K-në e takon në Paris dhe bisedon për këto çështje me të, do të jetë shumë më mirë.
Ajo që dëshirojmë të kuptojmë, mendoj se është kjo: Pse është paraqitur kjo përçarje? Në lidhje me çka është ajo? Aq sa kam mundur të mësoj nga Dakot (me të cilët ka nisur përçarja) ka të bëjë vetëm me akuza të rrejshme që janë bërë kundër Mehmetit [Konicës]. Natyrisht, në mënyrë strikte, kjo duhet të mbetet vetëm mes nesh.
Zonja D. [Dako] më ka shkruar (në përgjigje të kërkesës sime të fuqishme se nuk duhet të përçahen) – se ata i dinin të gjitha për Mehmetin dhe e dinin se ai ishte i përfshirë në një komplot për t’ia shitur Greqisë jugun e Shqipërisë. Ajo, po ashtu, më ka thënë se biseda me z. Woods ia ka konfirmuar dyshimet për pa aftësinë e Mehmetit. E di që Woods është shumë i shqetësuar me M. për atë që ka thënë se është shumë e mundshme se asnjëra palë të mos e fitoj luftën dhe se do të përfundoj me rezultat të barabartë e që do t’i lodhë të dy palët. Ai [Woods], po ashtu, ishte tejet i shqetësuar për zonjën Aubrey të cilën e konsideron anti-angleze. Padyshim ajo ishte influencë e keqe. Ajo që më frikëson është se ai ka folur shumë për Dakot. Ju ndoshta e dini që Vatra i ka bërë atij një pritje madhështore, në të cilën, Dakot dhe partia e tyre refuzuan të merrnin pjesë. Tashti, aq sa mund të marrë vesh nga gazetat, Dakot e shpallin atë si kampion të kauzës së tyre.
Besoj që ai ndjenë se e ka tollovitur këtë gjë pasi që ka thënë se do të më shkruaj dhe do të më njoftoj për gjendjen, por nuk kam marrë asnjë rresht prej tij. Kam frikë se ai e ka mbjellur idenë se për shkak të zonjës A: Mehmeti është anti aleat dhe se me këtë i ka infektuar Dakot.
Nëse mund të marrësh vesh nga Ismaili, se cila është baza e kësaj rrëmuje, do të ishim në gjendje të bënin diçka. Dëshira ime është që ta dërgojmë Dakon delegat. Ai është mjaftueshëm i arsimuar që të jetë i dobishëm dhe nëse del nga rrethi i tij i vogël, me siguri do të jetë në gjendje që ta pranoj se sa rol mikroskopik luan Shqipëria këtu në mendjet e njerëzve dhe, se si, çdo përçarje ua shkatërron gjasat. Ai i sheh gjërat nga një perspektivë mjaft e rrejshme.
Në lidhje me letrën tuaj, më duhet ta përfundoj në vijën që e kam caktuar dhe fjalinë e fundit ta bëjë edhe më të fuqishme: “Një front i bashkuar është gjëja e vetme që mund ta shpëtoj vendin tuaj nga sundimi i huaj” apo diçka tjetër me këtë efekt. Të vetmen gjë që mund ta bëjmë, është që të provojmë t’i frikësojmë në mënyrë që të bashkohen. Dhe, ata me të madhe i mbiçmojnë kapacitetet e tyre ushtarake. Ende besojnë në “banda” dhe në metoda mesjetare. Derisa sot një armatë e vogël do t’i shtypte shumicën e tyre, tërë municionin dhe furnizimin me ushqim dhe do t’i zhdukte kurdo me disa mitralozë dhe do të dorëzoheshin para se të vdisnin nga uria. “Shpalljet” e Lichnowskyit na kanë shkaktuar dëme të pallogaritshme. Kudo që i kemi lexuar njerëzit e rinj, janë të bindur se formimi i Shqipërisë është komplot gjerman dhe që e ka shkaktuar luftën. Mavrogordata ka shkruar një artikull në të cilin thekson se, sikur shqiptarët të mos nxiteshin nga Austria, kurrë nuk do ta kishin dëshiruar pavarësinë dhe se do të “asimiloheshin” lehtë nga Greqia.
Dhe, kohëve të fundit, disa njerëz më kanë lutur që të mos humbë më tej kohë për ta [shqiptarët] pasi që secili pajtohet me Lichnowskyin.
Nëse mundesh, kërko nga Ismaili që ta marrësh vesh se në lidhje me çka është tërë kjo përlamje. Dhe, mundohu ta bindësh se akuzat kundër M, nëse ai i përsëritë siç i përmenda, janë broçkulla.
Sinqerisht e juaja,
Edith Durham.