Telegrafi

Një foshnje lindi pa shenja jete në QKUK, policia dyshon “për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor”

Foto: Ilustrim

Një person mbrëmjen e së mërkurës ka raportuar në polici në lidhje me ngritjen e dyshimeve “për trajtim të pandërgjegjshëm”, ndaj Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku është realizuar lindja e një foshnje e cila është pa shenja jete.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Sipas saj, mbrëmë rreth orës 22:00 me autorizimin e prokurorit të shtetit policia ka iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.

“Hetimi ka ardhur si rrjedhojë e denoncimit të bërë pranë policisë nga ankuesi i cili ka ngritur dyshimet për trajtim të pandërgjegjshëm, ndaj klinikës ku është realizuar lindja”, ka thënë Ahmeti.

Ajo po ashtu tha se dyshimet janë ndërlidhur me informimin e menjëhershëm pas lindjes se foshnja e tij është pa shenja jete, informacion ky i pranuar nga ana e personelit të klinikës përkatëse.

Ndërkohë, sipas saj trupi i pajetë është dërguar për obduksion, policia në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit po heton të gjitha rrethanat që karakterizojnë ngjarjen me qëllim zbardhjen e plotë të tyre. /Telegrafi/