Site icon Telegrafi

Një familje në Shkup mund të mbetet pa kulm mbi kokë, nëse u rënohet shtëpia (Video)

Familja 4 anëtarëshe nga Shkupi e cila jeton në një shtëpizë të improvizuar prej 15 metrave katrorë nën Urën Hekurudhore në afërsi të klinikës “Prolet”, nga nesër mund të mbeten nën qiell të hapur, nëse shtëpiza ku jetojnë ata rrënohet, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Në kushte të rënda, në një shtëpizë të improvizuar e cila nuk mund të quhet shtëpi, ka disa muaj që ata aty jetojnë, pasi që më parë kishin qenë të dëbuar nga një shtëpizë e ngjashme. Pasi që ua kanë rrënuar shtëpizën, ata rastësisht e kishin gjetur këtë vend. Sunçica thotë se ardhmëria e tyre dhe fëmijëve Xhemo dhe Matej, që gjenden tek familjarët e tyre në Shuto Orizarë, është e pasigurt.

“Ja edhe nga këtu po na dëbojnë dhe me të vërtetë nuk kemi ku të shkojmë. Nga qendra për punë sociale, na thonë se i vetmi opsion që kemi është “Fshati Çiçinë”. Të gjithë e dimë se atje kushtet janë të mjerueshme. Frikësohem se do të mbes aty me fëmijët, pasi që bashkëshorti duhet të dalë të punoj”, u shpreh Sunçica Gjorgjeviq.

Bashkëshorti i Sunçicës, Sebastijani, mbledh shishe plastike dhe punon gjithkund vetëm për të siguruar kafshatën e bukës. Pas një angazhimi pune prej një jave, atyre u kanë ndaluar ndihmën sociale prej 2800 denarëve. Ai thotë që nga Komuna i kanë premtuar se nuk do ta rrënojnë objektin. Apeloi institucionet përkatëse t’u dalin në ndihmë dhe të përkujdesen që mos të mbesin në rrugë.

“I lus edhe këtë herë, ta kenë parasysh gjendjen tonë. Të mos shëtisim kështu në rrugë edhe nën ura. Kjo është marrëzi, unë nuk dua kështu, mirëpo skam. Të kisha qenë unë i punësuar, do të kisha paguar qira”, tha Sebastijan Memet.

Agonia e kësaj familje po zgjat tanimë 6 vite. Thonë se ka pasur periudha kur fëmijët në të ftohtë kanë fjetur madje edhe nën ura. TV21, para tre muajve vizitoi këtë familje dhe prej atëherë ka apeluar për ndihmë në organet kompetente, për strehim në banesat sociale. Sunçica, është shtatzënë dhe për më pak se një muaj duhet të lind./Telegrafi/

Exit mobile version