Marrëdhëniet mes fqinjëve në Ballkan nuk kanë qenë prej vitesh kaq të helmuara sa sot. Disa politikanë përdorin hapur retorikën e luftës dhe të ndryshimit të kufijve. Çfarë po e rindez nacionalizmin në Ballkan?
Për një kohë të gjatë u duk se Ballkani më në fund i përzuri fantazmat e së shkuarës. Konfliktet u shuan, armiqtë e dikurshëm i dhanë dorën njëri-tjetrit, dialogu filloi të ushtrohej, perspektiva e anëtarësimit në BE jepte shpresë duke e bërë edhe Bashkimin Evropian të lumtur.
Por tani Ballkani po zien sërish, aq sa dy ministra të Mbrojtjes të dy anëtarëve ballkanikë të NATO-s, ajo shqiptare, Mimi Kodheli, dhe homologu kroat, Damir Krstevic, i drejtohen me letër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Shqetësimi: Serbia me politikën e saj po rrezikon sigurinë në rajon, dhe se “zhvillimet e fundit”, kërcënojnë sigurinë e Kosovës e më gjerë, shkruan DW.
Me “zhvillimet e fundit”, është nënkuptuar jo vetëm treni serb me mbishkrimet “Kosova është Serbi”, ndërtimi i murit në Mitrovicë, tani në rrënim, por më shumë: Tone të reja nacionaliste deri tek përdorimi i retorikës së luftës nga disa politikanë të vendeve ballkanike.
Pasojat e krizave të BE-së
Perëndoi epoka e pajtimit në Ballkan për t’ia lënë vendin rikthimit të nacionalizmit? Politologu në Universitetin e Zagrebit, Nenad Zakošek nuk mendon se fitili i nacionalizmit ka qenë i shuar përgjithmonë në Ballkan. Ishte perspektiva e qartë për një të ardhme ne BE, ajo që mundësoi ecjen përpara në paqe të të gjithë rajonit.
“Por tani shtyrja e kësaj perspektive po zhvillon një dinamikë negative. Zhgënjimi i njerëzve nga BE po kthehet në një problem në rajon. Shikoni Maqedoninë, një vend që vërtet ka pësuar regres, sepse aty u shty kaq vite perspektiva e anëtarësimit”, thotë Nenad Zakoshek.
BE nuk ka qenë vetëm projekti i shpresës i këtyre dekadave. Ajo i ka tërhequr gjithmonë vëmendjen Ballkanit, e nëse fuqia e rrezatimit si paralajmëruese dobësohet, kjo nuk kalon pa lënë gjurmë në Ballkan.
Eksperti i Qendrës Kërkimore për Politikat e Sigurisë në Kosovë, Burim Ramadani kujton se çfarë nuk duhet harruar në Ballkan. “Kemi të bëjmë me vende që nuk janë demokraci të konsoliduara, me probleme ekonomike, me vende që nuk i kanë tejkaluar ende tensionet e vjetra”, thotë ai.
Ramadani mendon, se tani kësaj i shtohet paaftësia e Brukselit për të konsoliduar Ballkanin.
Thyerja e tabusë
Në të vërtetë askush nuk ka thënë në Bruksel se perspektiva e anëtarësimit nuk është më ekzistente, përkundrazi ajo ngrihet lart nga politikanët evropianë, megjithëse për një kohë të pacaktuar nuk do të ketë anëtarësime të reja. BE ka halle të tjera, fokusi i saj nuk i përket më Ballkanit. E me sa duket, kur kontinenti i shpresës lëkundet, politikanët nacionalistë ballkanas janë gati të testojnë kufijtë, jo vetëm ata gjuhësorë, por edhe të shteteve të Ballkanit.
“Kemi të bëjmë me forca të caktuara, që e shtrojnë më me forcë çështjen e kufijve, sidomos në Serbi, një vend që nuk doli i kënaqur me përfundimin e luftës, por edhe shqiptarët, pjesërisht në Maqedoni i shtrojnë këto pyetje. Me këto vihet në pikëpyetje jo vetëm integriteti territorial i Bosnje-Hercegovinës, por edhe Kosovës e Maqedonisë. Pra kemi tre shtete në rajon, ku kufijtë nuk janë të sigurt”, thotë profesor Nenad Zakoshek.
Ndryshimet e kufijve kanë qenë prej kohësh një temë tabu në Ballkan, megjithëse dëgjoheshin herë pas here zëra të shkëputur. Por tani politikanë të caktuar në Ballkan, kërcënojnë hapur me ndarje ose bashkim me vendin amë.
Eksperti i fondacionit “Carnegie Europe” me seli në Bruksel, Stefan Lehne shikon në këto zhvillime influencimin e ndryshimeve politike botërore.
“Zgjedhja e Donald Trump dhe krizat e shumta të BE-së kanë sjellë shumë pasiguri në Ballkan, por tek disa kanë zgjuar shpresë, se mund të ripërtërihen rishtazi çështjet nacionaliste të quajtura të humbura”, ka thënë Lehne.
Tërheqje e amerikanëve nga Ballkani?
Por një epokë e re e gjeopolitikës mund të kthehet në rrezik lufte për Ballkanin, shprehet politologu Nenad Zakoshek.
“Nëse me presidentin Trump përjetojmë largimin e amerikanëve nga rajoni dhe BE është e preokupuar me veten, atëherë Ballkani i lihet vetes. Tendencat aktuale mund të forcohen edhe më shumë. Të mos harrojmë, se edhe aktorë të tjerë, si Rusia, një sistem autoritar, hyjnë në skenë, ata kërkojnë partnerë që iu përgjigjen preferencave të tyre. Ka në nivel lokal forca që nuk druhen të ndryshojnë me dhunë kufijtë, e nëse ato mbështeten nga jashtë me armë apo diplomaci, kjo mund të çojë në konflikte të armatosura në Ballkan. Kujtojmë konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë, apo në Bosnje-Hercegovinë, edhe këtu flitet për rrezik lufte”, ka thënë ai.
Eksperti Stefan Lehne nuk beson në tërheqjen e plotë të amerikanëve nga rajoni, por thekson se një riorganizim territorial për Ballkanin nuk do të jetë temë nën administratën Trump. “Ata kanë halle të tjera. Një politikë e ndryshimit të kufijve kërkon një angazhim intensiv të jashtëzakonshëm, e këtë nuk e pres tani”, thotë Stefan Lehne.
Rreziku më i madh, mendon Stefan Lehne, qëndron në rrezikun e shkallëzimit të spirales së provokimit e kundërprovokimit. “Prandaj politikanët e mençur, partitë, shoqëria civile duhet të dënojnë menjëherë zhvillime të tilla. Ata kanë shumicën e popullit me vete. Tani madje do të ishte koha më e mirë për të bërë hapa të rinj në drejtim të pajtimit e mirëkuptimit në Ballkan”.
Por në rajon e dinë shumë mirë, se që të hidhen këto hapa, Ballkani ende ka nevojë që ta marrë për dore si BE-ja ashtu edhe SHBA-ja.