Një dron i paidentifikuar ka fluturuar mbi ambasadën ruse në Stokholm të Suedisë, duke hedhur bojë në terrenin e kompleksit diplomatik, ka njoftuar policia suedeze.
Deri më tani, nuk është bërë asnjë arrestim dhe asnjë i dyshuar nuk është identifikuar.
“Ne këmbëngulim që të gjitha incidentet kundër ambasadës ruse të hetohen tërësisht dhe në mënyrë të paanshme dhe që autorët të gjenden dhe të sillen para drejtësisë”, tha në një deklaratë ambasada ruse në Suedi.
Bëhet e ditur se hetuesit do të shikojnë nëse incidenti ishte në ndonjë mënyrë i lidhur me një rast të raportuar të vandalizmit në ambasadën e Suedisë në Moskë, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
Pas incidentit në Moskë, ministrja e Jashtme suedeze Maria Malmer Stenergard i kërkoi Rusisë të sigurojë mbrojtjen e misionit diplomatik të Suedisë dhe stafit të saj.
Ndërkohë, një zëdhënës i ministrisë së Jashtme suedeze tha se ambasada e Suedisë në Moskë ishte në kontakt me autoritetet ruse lidhur me incidentin e fundit.
“Është serioze kur ambasada e një vendi është subjekt i vandalizmit”, tha Stenergard në një deklaratë me email për incidentin në Stokholm.
“Autoritetet suedeze janë përgjegjëse për sigurinë e ambasadës dhe policia ka nisur një hetim paraprak”, shtoi ajo. /Telegrafi/