Site icon Telegrafi

Një dritë misterioze ndriçoi qiellin maroken pak para tërmetit

Bota është akoma e shokuar pas tërmetit katastrofik që të premten mbrëma goditi Marakeshin dhe rajonin përreth Marokut, ku si pasojë humbën jetën mbi 2.500 persona.

Derisa numri i viktimave po rritet, autoritetet kanë filluar analizimin e pamjeve të kamerave të sigurisë që filmuan gjithçka para dhe pas tërmetit shkatërrues.

E një prej pamjeve që po bëjnë bujë nëpër botë janë kur kamerat e sigurisë në një ndërtesë kolektive kap një dritë në qiell, që ndriçon për rreth tre minuta para se të ndodhë tërmeti i fuqishëm.

Shkaqet e shfaqjes së kësaj drite mbeten të panjohura, por nëse është një lloj treguesi se po vjen më e keqja – as kjo nuk dihet akoma, transmeton Telegrafi.

Megjithatë drita të tilla nuk janë diçka e pazakontë, pasi të ngjashme ishin shfaqur dhe dokumentuar me pamje në Turqi, pak momente para se të godiste tërmeti që ia mori jetën mbi 45 mijë personave.

Lexo po ashtu Tërmetet e fuqishme dhe vdekjeprurëse që kanë goditur Marokun

Një teori është se këto drita shfaqen si përgjigje ndaj presionit tektonik, aktivitetit sizmik aty pranë apo edhe shpërthimeve vullkanike. Megjithatë, shkaku i saktë i këtij fenomeni të pazakontë mbetet i panjohur.

Është interesante se dritat e tërmeteve janë regjistruar për mijëvjeçarë, dhe me ardhjen e teknologjisë moderne janë fituar njohuri të reja për këtë fenomen.

Dritat nuk manifestohen në çdo kohë, por shfaqen pranë kohës dhe epiqendrës së tërmetit, ku presioni tektonik është në kulmin e tij. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version