Telegrafi

Një ditë pas formimit të Qeverisë së re serbe, Vuçiq merr udhëzime për Kosovën nga ambasadori rus në Beograd

Jo më larg se një ditë nga formimi i Qeverisë së re të Serbisë, presidenti Aleksandar Vuçiq ka zhvilluar një takim me ambasadorin rus në Beograd, Aleksandar Bocan-Kharchenko.

Vuçiq gjatë fundjavës ka prezantuar përbërjen e Qeverisë së re të Serbisë, e cila do të udhëhiqet nga mandatarja Ana Brnabiq.

Ky takim është zhvilluar teksa në Kosovë po afrohet skadimi i afatit për riregjistrimin e makinave me targa serbe në “RKS”, pra Republika e Kosovës.

Në një komunikatë të lëshuar nga Presidenca serbe thuhet se është biseduar për hapat e ardhshëm në raport me Kosovën dhe rritjen e bashkëpunimit me Rusinë.

“Të dy bashkëbiseduesit diskutuan për situatën në Kosovë. Presidenti Vuçiq falënderoi Rusinë për mbështetjen që i jep integritetit territorial të Serbisë”, thuhet në njoftim.

Afati kishte nisur më 1 shtator dhe përfundon më 31 tetor. Deri më tani, Qeveria e Kosovës ka thënë se afati për riregjistrim nuk do të shtyhet dhe se nga 1 nëntori nuk do të mund të qarkullojnë më makinat me targa të lëshuara nga Serbia.

Kujtojmë se i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës për shtyrje të afatit për 10 muaj. /Telegrafi/