Site icon Telegrafi

Një ditë pas dorëheqjes së Haradinajt, 250 pejanë i bashkohen AAK-së

Një ditë pas vendimit të kryeministrit të Qeverisë së Kosovës Ramush Haradinaj, për të dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti, si pasojë e një ftese të arritur për të nga Gjykata e Specializuar në Hagë, si i dyshuar, 250 të rinj të Pejës i janë bashkuar subjektit politik të Haradinajt.

Ata kanë pranuar kartelat e anëtarësisë në një takim të hapur me zv. ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Ali Berisha që është edhe kryetar i degës së këtij subjekti në Pejë.

AAK njofton se anëtarësimet kanë pasuar edhe me debat me ç’rast është vlerësuar lartë gjesti i dorëheqjes së Haradinaj, për t’i lënë rrugë të hapur drejtësisë ndërkombëtare e cila sipas pejanëve, ka kaluar çdo kufi në raport me rastin e Kryeministrit, meqë ai po ftohet për herë të tretë, pas dy gjykimeve ndërkombëtare nga të cilat doli i pafajshëm, raporton KP.

Pejanët besojnë në pastërtinë e Ramush Haradinajt dhe figurën e tij e shohin prej shpëtimtari të këtij qyteti në vitin e rëndë 1999, kur Peja tentohej të ndahej sikur Mitrovica.

“Vendim i përgjegjshëm burrëror, që veç Ramushi din ta përçoj. Kemi dhimbje personale se ju bë mjaft me drejtësinë ndërsa sa I përket postit, ai do ta rimerrë sërish, sepse burrë më të fortë nuk kemi pasur në Qeveri. Ramushi është i meqëm dhe e din se kush ja ka punuar këtu brenda por edhe atje në Beograd”, tha Memli Basha, anëtari më i ri i AAK-së.

Ndërsa Ali Berisha në fjalën e tij ka kërkuar që Peja dhe rrafshi i dukagjinit, siç janë bastion i AAK-së, të dëshmojnë pjekuri në të gjitha proceset e ardhshme në raport me shtetndërtimin e vendit, përderisa shprehu bindjen se tashmë gjithçka është e qartë për të gjithë, edhe Evropën edhe Botën, se Haradinajt i pengojnë Serbisë.

“Serbia ka problem me Haradinajt dhe është e qartë se përse, por Serbia e din se në këtë raport çdoherë del humbëse. Evropa dhe Bota e dinë se procese të tilla vijnë nga ana e agresorit për viktimën. Kosova ekziston dhe Haradinaj është Kosova”, tha mes tjerash Berisha.

Exit mobile version