Telegrafi

Një ditë pas arrestimit të Gjuriqit, situatë e qetë në Mitrovicë (Video)

Pas ngjarjeve të së hënës,  si pasojë e arrestimit të Marko Gjuriqit- drejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, në veri të qytetit të Mitrovicës sot po mbretëron gjendje e qetë.

Qytetarët e të dy pjesëve të qytetit , për Telegrafin kanë thënë se gjendja aktuale është kryesisht e qetë.

Erza Mejzini, banore e Llagjes së Boshnjakëve në veri të Mitrovicës tregoi gjendjen e vështirë që e kaluan një ditë më parë, por sot situata është e qetë.

“Situata në Mitrovicë është e qetë, meqë dje kaluam shumë momente të vështira. Edhe pse për ne që banojmë në veri është paksa e frikshme, por sot është mirë”, ka thënë ajo.

Edhe Ramadan Ademi u shpreh se situata në Mitrovicë është e qetë.

“Situata në Mitrovicë mund të themi që është e qetë, por e qetë nuk është se qe 19 vite e kam urën mshelë. Qe 19 vjet i kam varret andej dhe s’guxoj me shku… 12 mijë banorë i kemi të dëbuar nga veriu , dhe 80 për qind e tyre janë me qira. Kjo që ka ndodh dje është dashur të ndodh para 10 viteve… Jam zot shpie në shtëpinë tem”, theksoi Ademi për Telegrafin.

Ndërkaq, edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e veriut të Mitrovicës, Besim Hoti, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se situata e sigurisë është e qetë.

Sipas tij, Policia e Kosovës ka pasur bashkëpunim shumë të mirë me qytetarët, e posaçërisht me banorët ku jeton popullata e përzier.

“Situata paraqitet e qetë, ashtu si edhe gjatë orëve të mbrëmjes pas ngjarjeve të arrestimit në ditën e djeshme. Mendoj që Policia e Kosovës ka punuar shumë afër me qytetarët, banorët e lagjeve kryesisht me interes të veçantë aty ku lagjet janë me popullatë të përzierë. Kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi komunikim të vazhdueshëm me qytetarët”, ka thënë Hoti.

Hoti po ashtu tha se gjatë tubimit, protestuesit kanë shprehur pakënaqësinë e tyre duke shënuar dhe incidente.

“I vetmi incident ishte thyerja e xhamit të një objekti pranë urës kryesore dhe pas atyre zhvillimeve nuk kemi pas reagime tjera”,  sqaroi Hoti.

Ai gjithashtu falënderoi qytetarët për veprimet e tyre të matura, duke bërë që të ruhet qetësia dhe situata të mos eskalojë.

Ndërkohë, sot pasdite është raportuar se është larguar barrikada e vendosur nga serbët të hënën në mbrëmje në vendin e quajtur Rudare, në rrugën magjistrale Zveçan – Mitrovicë dhe atje komunikacioni po zhvillohet normalisht. /Telegrafi/