Telegrafi

Një ditë para betimit të kryetarit të Mitrovicës veriore, Sadiku: Përgatitjet po shkojnë normalisht, vetëdija e qytetarëve është mbi nivelin e politikanëve

Pas zgjedhjeve të 23 prillit ku u zgjodhën katër kryetarët e komunave veriore, të premten (nesër) pritet të bëhet betimi i kryetarit të Komunës së veriut të Mitrovicës, Erden Atiq.

Seanca solemne e betimit të kryetarit të ri të kësaj komune do të mbahet në orën 11:00, e të gjitha përgatitjet janë duke shkuar të qeta dhe në mënyrë normale.

Kështu tha në një prononcim për Telegrafin zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, Skender Sadiku.

Sipas tij, për dallim nga komunat tjera veriore Komuna e Mitrovicës veriore e ka objektin në funksion.

“Përgatitjet janë duke shkuar normal. Për dallim nga komunat tjera veriore, komuna e Mitrovicës e ka objektin në funksion. Kemi qenë gati klinikisht të vdekur, por është një drejtori e ka mbajt gjallë komunën,e ajo është drejtoria e Administratës Publike…”, ka thënë Sadiku.

Po ashtu, ai theksoi se betimi do të kalojë pa asnjë telashe dhe gradualisht do t’i kryejnë funksionet e tyre për çka janë zgjedhur.

“Mbledhja është caktuar në orën 11:00 dhe ngadalë do të fillojmë realisht për çka jemi zgjedhur në si asamble dhe si kryetar…. E mira e kësaj është që na duhet teknikisht që të jemi në funksion të qytetarëve”, u shpreh ai.

Lexo po ashtu Krasniqi: Të premten organizohet seanca për betimin e kryetarit në veri të Mitrovicës

I pyetur se si e vlerëson deklaratën e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier se pret që kryetarët e rinj të marrin rol teknik e jo politik, Sadiku tha: “Po duhet të mësojmë dhe dalëngadalë demokracinë…Edhe kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama nuk ka kompetenca të mëdha. Realisht, çdo kryetar i çdo komune në Kosovë është kryetar teknik, se sa i çështjeve politike…”.

Gjatë prononcimit, Sadiku tha se qytetari vuan pikërisht për këto çështje teknike.

“Është i bllokuar buxheti i komunës veriore. Komuna në konto nuk ka asnjë qarkullim që është nga tatimpaguesi i Kosovës e dëmet shkojnë tek qytetarët. Nuk ka Drejtori të Emergjencës në komunë…në 5 km katrorë Mitrovica ka telashe”, theksoi Sadiku, gjersa shtiu se “në veri është qetësi, vetëdija e qytetarëve është mbi nivelin e politikanëve. Këtu jetojnë familje dhe gjithçka është qetë. Nga e hëna presim që të zgjidhen dalëngadalë problemet e grumbulluara të qytetarëve. Prej muajit janar nuk është arritur që të iu ndihmohet nga vërshimet që janë bërë. Bëj apel që të ndihmohen qytetarët në nevojë”.

E siç tha zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut gjithë këtë ngërç politik dhe këtë situatë të palakmueshme në komunat veriore e ka sjellë Lista serbe.

“Një organizatë e palakmueshme, e cila i ka poletizu skajshmërisht të gjitha segmentet, por edhe duke u marr me temat që nuk janë të tyre…”, potencoi ai. /Telegrafi/