Telegrafi

Një diamant i futbollit vendor te Kosova A: Ilir Krasniqi merr ftesën e parë nga Giresse, ndjehet i lumtur dhe krenar që do ta përfaqësojë vendin e tij

Ilir Krasniqi është në mesin e shumë yjeve që janë ftuar nga Alain Giresse për ndeshjet e muajit shtator te Kosova A.

Mesfushori i Llapit, që mund të luajë pa asnjë problem edhe në mbrojtje, spikati në vitet e fundit, kishte rënë në sytë e shumë ekspertëve për lojën e mirë me top, luftën e pa kompromis në fushë dhe cilësitë e liderit.

Pas disa paraqitjeve të mira te Kosova U21, ku shënoi edhe gol, tashmë është radha për skenën e madhe, tek i ekipi i parë që udhëhiqet nga francezi Giresse.

Ilir Krasniqi në finalen e Kupës së Kosovës me Llapin

Lojtari thotë se ka punuar shumë dhe ka dhënë maksimumin për të ardhur deri te ftesa.

“Kam qenë i fokusuar të jap maksimumin tim në çdo paraqitje në fushë. Besoj që kjo ka ndikuar më së shumti që unë të ftohem nga Kombëtarja e Kosovës. Ndihem i lumtur dhe i vlerësuar që kam marrë ftesë nga selektori Alain Girsse”, ka thënë Krasniqi për Telegrafin.

Tutje djaloshi i ri ka shtuar se kjo ftesë është një mundësi e mirë për të arritur qëllimet e tij në karrierë, që është ndonjë klub i njohur në futbollin evropian.

Ilir Krasniqi te Kosova U21

“Besoj që kjo ftesë është një mundësi e mirë drejt qëllimit tim, që është të luajë në një nga kampionatet kryesore në Evropë. Po punoj shumë që ky qëllim të arrihet dhe ftesa e ardhur nga selektori Giresse, pa dyshim është një shtysë e madhe për mua”, deklaroi ai.

Kosova do të luajë ndaj Irlandës së Veriut dhe Qipros, dhe tani Iliri si pjesë e skuadrës, shpreson që të marrin maksimumin në këto dy ndeshje.

“Shpresoj dhe besoj që nga këto dy ndeshje të marrim maksimumin e pikëve. Debutimi do të ishte kulmi, për çka jam gati të jap maksimumin në çdo situatë kur do që stafi e sheh të nevojshme. Do të ishte realizimi i një ëndrre të fëmijërisë”, përfundoi Krasniqi.

Fitues i Kupës dhe Superkupës së Kosovës

Krasniqi ka luajtur te Kosova U21 dhe Kosova U19 dhe konsiderohet një nga diamantet e futbollit vendor. /Telegrafi/