Telegrafi

Një dekadë me “Jetimat e Ballkanit”- lodhje, mundim, por edhe shumë kënaqësi: Halil Kastrati tregon detaje të këtij rrugëtimi

Shoqata “Jetimat e Ballkanit”, po shënon vitin jubilar të saj, ku me 28 nëntor do të kulmojë me organizimin e një ngjarje madhështore në qytetin e Prizrenit, ku do të dhurohen 128 palë çelësa për familjet në nevojë.

Drejtori i “Jetimave të Ballkanit”, Halil Kastrati, në një intervistë për Telegrafin ka treguar për rrugëtimin 10 vjeçar të njërit prej organizimeve humanitare më të fuqishme ndër shqiptarë, ku ka thënë se krejt këto suksese janë arritur falë kontributit të pashoqë të shqiptarëve kudo që ndodhen ata nëpër botë.

“Dhjetë vite aktivitet, lodhje, sakrificë. Dhjetë vjet derë më derë. Plot halle, plot derte, plot vuajtje, plot siklete. Shumë lot vuajtje kemi arritur t’i kthejmë në lot gëzimi, dhe krejt kjo falë shqiptarëve. Në fillimet tona ka qenë një angazhim shumë i madh dhe shumë i vështirë. Nëse na kishim thënë atëherë se do të vijë dita ku ju do t’i dhuroni 128 palë çelësa, nuk do ta besonim, por ja kjo u bë një realitet”, ka theksuar Kastrati.

Lexo po ashtu 28 Nëntori, vit jubilar për “Jetimat e Ballkanit” - dhurohen 128 shtëpi të reja për njerëzit në nevojë

Sipas tij, në këtë karvan humanitar janë bashkuar shumë njerëz, e që disa prej tyre sipas tij, sot nuk janë më në këtë botë.

“E ndiej obligim para Zotit, që të bëjë lutje për një person që nuk është me në mesin tonë, ku hapat e parë – në momentet më të vështira – i kemi bërë bashkë më të. Do të kisha dëshirë ta kem në këtë event edhe Rizën, sepse e di sa gëzohej kur ne arrinim t’i bënim me pako ushqimore 10 familje aso kohe, e u thonte gazetarëve shkoni se hoxha e ka një aksion ku do të ndihmohen këto familje. Paramendoni sa do të gëzsohej sot, kur do ta shihte këtë ngjarje dhe ta shihte që do të dhurohen 128 palë çelësa për familjet në nevojë”, ka thënë Kastrati.

Ai ka thënë se e falënderon deri në frymën e fundit, të gjithë kombin shqiptar, të cilët sipas tij, ia mundësuan që ai t’i ledhatoj shumë koka jetimi dhe t’i përqafoj nevojtarët.

“Andaj ju bëjë ftesë që me 28 nëntor, në palestrën sportive “Sezai Surroi”, në ora 13:00, do të mbahet ngjarje e madhe e ‘Jetimave të Ballkanit’, ku do të dhurohen 128 palë çelësa. Ejani të buzëqeshim së bashku me familjet përfituese të këtyrë shtëpive. Do të ketë edhe program festivë, ku do të marrin pjesë shumë artistë shqiptarë, e të cilët kanë qenë nëpër aksionet tona”, ka shtuar Kastrati.

Sipas tij, deri më tani janë dhuruar nga kjo shoqatë 800 shtëpi, duke shtuar se planet për përfundimin e strehimores për pleq, fillimin e punëve në qendrën për strehimin e fëmijëve pa prindër dhe qendra për rehabilitin e narkomanëve, janë projektet që presin t’i zhvillojnë vitin që po vjen. /Telegrafi/