Site icon Telegrafi

Një çift peshkatarësh gjen kasafortën me 100 mijë dollarë në New York

Një çift që peshkonte në një rrugë ujore të New York-ut u befasua kur gjeti një kasafortë me rreth 100 mijë dollarë.

James Kane dhe Barbi Agostini thanë se ishin në Flushing Meadows Corona Park në Queens në fillim të këtij muaji, kur magneti në fund të litarit të tyre kapi diçka të rëndë, transmeton Telegrafi.

Çifti tha se incidenti nuk ishte hera e parë që ata kishin gjetur një kasafortë gjatë peshkimit me magnet, por ishte hera e parë që një i tillë përmbante thesar -rreth 100 mijë dollarë në kartëmonedha 100 dollarësh të dëmtuara nga uji.

Departamenti i Policisë i tha çiftit se paratë mund t’I mbanin, pasi hetuesit nuk ishin në gjendje të gjenin asnjë provë që lidhte kasafortën ose përmbajtjen e saj me një krim.

Çifti, i cili nisi peshkimin me magnet si një aktivitet në natyrë gjatë ditëve të para të pandemisë COVID-19, tha se zbulimet e tyre të mëparshme përfshijnë një granatë, armë të shumta, një dron dhe një motoçikletë. /Telegrafi/

Exit mobile version