Një burrë raportohet se i armatosur me thikë kërcënoi kalimtarët në rrugët e kryeqytetit norvegjez, Oslo, të martën, përpara se të qëllohej për vdekje nga policia, thanë zyrtarët.
Mediat norvegjeze publikuan pamjet e sulmuesit të dyshuar, i zhveshur nga mesi lart dhe duke mbajtur një thikë.
Policia fillimisht bëri me dije se kalimtarë të rastit ishin plagosur, por më vonë tha se vetëm një polic u plagos lehtë, përcjell Telegrafi.
“Deri më tani nuk kemi asnjë informacion se kjo është e lidhur me terrorizmin”, tha shefi i lartë i policisë Egil Joergen Brekke në një konferencë shtypi.
https://www.youtube.com/watch?v=Zy0lF9zK0cA
Policia tha se një makinë patrullimi në lagjen Bislett të Oslos veriore hyri në një ndërtesë për të ndaluar “përparimin” e personit.
Më pas ai sulmoi automjetin dhe arriti të hapte derën e makinës, tha zëdhënësi i policisë Torgeir Brenden.
Ai tha se “disa të shtëna” u qëlluan në drejtim të burrit, por nuk specifikoi nëse ishin oficerët e policisë në makinë që hapën zjarr.
Brenden tha se autori u dërgua me urgjencë në një spital aty pranë ku vdiq.
“Për dijeninë time, nuk ka të lënduar të tjerë”, tha Brekke, shefi i policisë.
Ndryshe, muajin e kaluar një burrë i armatosur me një hark e shigjetë dhe një thikë vrau pesë persona në një qytet të vogël në jugperëndim të Oslos. /Telegrafi/