Ashtu siç edhe kishin paralajmëruar prej kohësh, këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Rita Ora dhe DJ Sigala, kanë publikuar klipin e tyre më të ri.
“You For Me” mban titullin kënga e tyre e re, e cila është ritmike-verore dhe deri më tash ka qenë e publikuar vetëm në versionin audio me tekst në YouTube.
Në klipin e këngës, Rita vjen me një atmosferë shumë verore, duke interpretuar në një pishinë e rrethuar nga notare prefesioniste, të cilat realizojnë një koreografi rreth saj.
Xhirimet e këtij klipi janë kryer në Los Angeles, teksa është kënga e parë që Rita sjell pas mini-albumit shumë të suksesshëm “Bang”, të cilin e publikoi në shkurt të këtij viti.
“Klipi është i disponueshëm tani. Absolutisht më pëlqente ta filmoja këtë video në një vend të mrekullueshëm për mikun tim shumë të veçantë Sigala për ‘You For Me’, shpresoj ta doni aq shumë sa ne e duam! Vikend të mbarë”, ka shkruar këngëtarja shqiptare në mbishkrimin e një videoje të shkurtër nga klipi të publikuar në Instagram.
“You For Me” është kompozuar dhe është shkruar nga vet Sigala, i cili është një nga DJ-të më të njohur në Mbretërinë e Bashkuar dhe jo vetëm.
Rita në anën tjetër përmbylli një kapitull të suksesshëm si anëtare e jurisë në spektaklin “The Voice Australia”, dhe më pas është kthyer në Los Angeles për të punuar rreth projekteve të reja atje. /Telegrafi/