Telegrafi

Një anije cisternë në Detin e Kuq goditet nga raketa e rebelëve Houthi – mediat sjellin detajet

Një anije cisternë me flamur norvegjez është goditur nga një raketë e lëshuar nga rebelët Houthi në Detin e Kuq në sulmin e tyre të fundit ndaj anijeve për të protestuar kundër bombardimeve të Izraelit në Gaza.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane tha se raketa, e lëshuar nga një zonë e kontrolluar nga Houthi në Jemen, goditi Strinda mbrëmë dhe shkatërruesi USS Mason po ofron ndihmë.

Rebelët e mbështetur nga Irani shënjestruan Strinda me një raketë pasi ekuipazhi refuzoi t’u përgjigjej të gjitha paralajmërimeve, tha në një deklaratë televizive zëdhënësi ushtarak Houthi, Yehia Sareea.

Ai u zotua se Houthi-t do të vazhdojnë të bllokojnë anijet që shkojnë në portet izraelite derisa Izraeli të lejojë hyrjen e ushqimit dhe ndihmës mjekësore në Rripin e Gazës.

Firmat private të inteligjencës Ambrey dhe Dryad Global thanë se sulmi ndodhi pranë ngushticës Bab el-Mandeb që ndan Afrikën Lindore nga Gadishulli Arabik.

Anija cisternë e naftës dhe kimikateve vinte nga Malajzia dhe ishte nisur për në kanalin e Suezit.

Ndryshe, rebelët kanë kryer një sërë sulmesh mbi anijet në Detin e Kuq dhe kanë lëshuar gjithashtu drone dhe raketa që synojnë Izraelin.

Ata kanë kërcënuar se do të sulmojnë çdo anije që ata besojnë se shkon ose vjen nga Izraeli, megjithëse nuk kishte asnjë lidhje të menjëhershme të dukshme midis Strinda-s dhe Izraelit. /Telegrafi/