Site icon Telegrafi

Një ambasador kulturash që do të na mungojë: Nderim për Selajdin Gashin

Nga: Lindita Arapi

Ka njerëz që kur hyjnë në një ambient e mbushin hapësirën jo me prezencën e trupit, por me mirësinë që rrezatojnë dhe me sinqeritetin e pamoshë që buron natyrshëm, megjithëse bota përreth mund të hapë sytë me habi. I tillë ishte poeti, përkthyesi e gazetari, Selajdin Gashi, një kontribuues i palodhur për Kosovën, një mik i mirë dhe i përkushtuar për shumë shqiptarë në Gjermani dhe ish-bashkëpunëtor i redaksisë shqipe të Deutsche Welle-s, i cili ndërroi jetë papritur. Në një dedikim virtual për Selajdin Gashin të martën (20 prill 2021) familja e miqtë kujtuan jo vetëm veprën e punën e tij të kryer në disa dekada në Gjermani, por edhe një njeri që do të mbahet mend si njeri i qeshur, plot energji, plot plane e ëndrra për letërsinë, për përkthimin dhe për njohjen sa më të mirë të Kosovës në Gjermani.

Selajdin Gashi që lindi në Nikushtak të Kumanovës, erdhi si djalë i ri në Gjermani në vitin 1984, ku edhe kreu studimet për Gjermanistikë dhe Filozofi në Universitetin e Këlnit. Interesi i tij për gjuhën e kulturën gjermane, për botën e letrave dhe njohja e shkëlqyer e gjermanishtes, bëri që të fillonte edhe rrugën e gazetarisë. Në vitet 1990 punoi si gazetar i radios gjermane WDR dhe bashkëpunëtor i Deutsche Welle-s. Ishin vitet kur ai filloi edhe të shkruajë poezi dhe të botojë librat e parë, më pas një roman e mjaft përkthime nga gjermanishtja në gjuhën shqipe e anasjelltas. Që në librin e parë me poezi, “Asnjë fjalë e pathënë”, ai vlerësohet si “shpirt thellësisht i trazuar”, si “krijuesi kërkimtar… drejt esencave të qenies”. Poeti “ka mësuar shumë nga Gëte e Niçe” siç e vlerëson Adem Gashi. Më vonë erdhën vepra të tjera: vëllimi me poezi “Labirint” dhe romani në gjermanisht “I pagjumë me Kleopatrën”.

Për disa dekada Selajdin Gashi punoi palodhshëm si një ndërlidhës mes kulturave. Drejtuesja e redaksisë shqipe të Deutsche Welle-s, Vilma Filaj-Ballvora, që njihej me Selajdinin që nga vitet 1990 e kujton si një koleg e mik që krijonte gjithmonë një atmosferë pozitive. “Ishte kënaqësi të bisedoje me të, teksa kishte një gjykim e reflektim të thelle për botën ku jetojmë. E kështu e kam njohur unë Selajdinin në fillim të viteve 1990 në Këln. Ai ishte ingranuar shumë shpejt në mjedisin e shoqërisë gjermane, por asnjëherë nuk u shkëput nga rrënjët e tij duke vendosur kështu urë të fortë komunikimi mes dy shoqërive. Selajdini ishte vërtet një ambasador mes kulturave, asaj shqiptare e gjermane. Ishte një njeri, koleg, mik, gazetar e shkrimtar plot ndjenjë e ide, këmbëngulës në kërkim të së vërtetës, në gjurmimin e historisë dhe me forcë reflektimi për gjithçka ndodhte rreth tij, rreth nesh, në shoqërinë ku jetonte si dhe në atdheun e tij, Kosovën, me të cilën mbeti i lidhur ngushtësisht deri në ditët e tij të fundit.”

Kurse drejtoresha e Departamentit të Evropës dhe Ballkanit Perëndimor në Deutsche Welle, Adelheid Feilcke, kujtoi se e ka njohur Selajdinin në ditët e para të krijimit të programit shqip të Deutsche Welle-s në vitin 1992. Ishte një njeri konstruktiv, i fokusuar tek përmbajtja dhe modest në punë. “Doja të përkujtoja një botë të dytë, në të cilën kemi bashkëpunuar jashtë gazetarisë: Botën e kulturës. Selajdini mua më kishte ftuar për të marrë pjesë në ceremoninë e themelimit të Qarkut Kulturor Gjermano-Shqiptar. Me personalitetet e kulturës dhe politikës për vite me radhë kemi organizuar dhe realizuar aktivitete kulturore për të prezantuar kulturën e Shqipërisë dhe të Kosovës në Gjermani dhe për të ndërtuar urat mes gjermanëve dhe shqiptarëve përmes kulturës. Selajdini – vetë poet – ka qenë jashtë mase i angazhuar për të realizuar aktivitete të ndryshme në fushën e poezisë, muzikës, pikturës. Rrjeti i tij ka lidhur shkrimtarët gjermanë me shkrimtarët shqipfolës përmes Penklubit dhe rrjetit kulturor. Me respekt dhe vlerësim në memorien time janë ngulitur vullneti dhe kreativiteti i tij deri në kontaktet tona të fundit para disa javëve për promovimin e kulturës shqiptare dhe për mbështetjen e konektivitetit mes kulturës gjermane dhe shqiptare. Ai ishte një ambasador mes kulturave, i cili do të na mungojë!”

Të angazhuar e me përkushtim e kujton edhe shoqata kulturore në Gjermani, URACult. Anëtari i kryesisë, Ali Salihu tha se nuk e beson dot që në takimin e ardhshëm nuk do e kemi më aty. “Selajdin Gashi ishte një pasurim për shoqatën tonë. Sidomos kontributet e ij letrare kishin vlerë të paçmuar për ne. Autoret e autorët e rinj, që përdorën skenën tonë letrare për krijimet e tyre e vlerësonin këshillën e tij. URACult do ta vazhdojë shkëmbimin kulturor dhe dialogun shqiptaro-gjerman, të cilin e filloi që para tre dekadash Selajdin Gashi”.

Si shkrimtar e njohës i botës gjermane, ai donte të bashkonte botën e politikës gjermane me atë të Kosovës, kujtoi miku i tij dhe përfaqësuesi i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Krijuesve në Gjermani, Hajredin Ibrahimi. “Kur jam njohur për herë të parë me të, vetëm pas disa minutash kisha ndjesinë, se e njoh me vite”. Ai kishte një veti të rrallë, ishte ndërlidhës, bashkonte miqtë e mirë, e do ta mbaj mend si njeri të sinqertë, u shpreh Hajredin Ibrahimi.

Nderim për Selajdin Gashin erdhi edhe nga Kosova. Ish-kryetari i Komunës së Ferizajt dhe miku i tij, Muharrem Sfarqa, e cilësoi ikjen e tij një boshllëk të pakompensueshëm. “Për Kosovën, Selajdin Gashi ishte një patriot i palodhur”, tha Muharrem Sfarqa dhe kujtoi se Selajdini e kishte edhe një lloj zhgënjimi “që figurat që kanë punuar me përkushtim për lirinë e Kosovës asnjëherë nuk janë nderuar me mirënjohje apo ndonjë falënderim”. Një mik i afërt i Selajdin Gashit, vikari i Kishës Katolikë në Kosovë, Don Lush Gjergji e kujtoi si poet, përkthyes që sapo po përfundonte përkthimin në gjermanisht të librit të tij, por sidomos si “njeri me zemër të madhe, që dinte të dëgjonte duke krijuar një atmosferë miqësore e vëllazërore”. Selajdin Gashi do të mbetet një “zë i frymëzimit dhe zemrës”, tha Don Lush Gjergji.

Një anë tjetër të poetit e përkthyesit e solli familja e Selajdin Gashit, e njohur si familje e angazhuar për Kosovën. Drilon S. Gashi, kujtoi se të gjithë fëmijët e prisnim me padurim takimin me të. “Selajdini gjithmonë na pyeste: ‘Ç’ka kërkonim, ç’ka po punonim, ç’ka ëndërronim, ç’ka bënim për ta realizuar atë’”? Me zë të dridhur, vëllai i tij Abraham Gashi, kujtoi se Selajdini ishte një “shtyllë e fortë” për familjen. “Jemi krenarë për punën e tij”, tha ai. “Nuk e kam të lehtë,  ky vit është shumë i vështirë, por kur dëgjon të gjitha këto nderime, është më e lehtë të ndash dhimbjen me ju”.

Për poetin Selajdin Gashi ishte e vështirë ta bashkonte botën, siç shkruan në një poezi të tij “Bashkimi”, por ai la gjurmët e tij si ndërlidhës mes botëve, për të cilat do të mbahet mend gjithmonë nga familja e miqtë dhe do të zërë vendin e tij në kujtesën e pashuar të kulturës. Edhe si një njeri që e donte bukurinë e saj dhe sa mundi u përpoq ta bënte më të mirë: “Vështirë ta bashkosh botën / Më vështirë ta shohësh si ndahet / Kur shkrepëtin dielli / A s’është mrekulli / Kur në mbrëmje / Bukurinë shpalos / Dhe kështu nis dita / Ndriçohen skajet”. /DW/

 

 

 

Exit mobile version