Një aeroplan JetBlue i nisur për në Porto Riko ka goditur bishtin e një aeroplani tjetër të kompanisë në Aeroportin JFK në New York, të mërkurën në mëngjes – vetëm disa ditë pasi dy aeroplanë për pak u përplasën në një pistë.
Aeroplani “ra në kontakt të lehtë me një aeroplan të parkuar, pa pasagjerë gjatë lëvizjes”, ka thënë zëdhënësi i JetBlue, Derek Dombrowski, për mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Fluturimi 1603 u kthye në portë, nuk u raportua për të lënduar dhe fluturimi i është caktuar një aeroplani tjetër. Siguria është përparësia e parë e JetBlue dhe të dy aeroplanët e përfshirë do të nxirren jashtë shërbimit për inspektim dhe incidenti do të hetohet”, ka shtuar ai.
Administrata Federale e Aviacionit tha në një deklaratë se “Aeroplani i fluturimit 1603 goditi bishtin e një aeroplani të parkuar JetBlue ndërsa po kthehej nga porta rreth orës 7 të mëngjesit. Fluturimi po shkonte në Aeroportin Ndërkombëtar Luis Muñoz Marin në San Juan, Porto Riko. Të dy aeroplanët ishin Airbus 320”. /Telegrafi/