Telegrafi

Shqipëri: Një 43-vjeçar vrau kunatën dhe veten, flet babai dhe nëna e tij

Babai i Roland Sinanit, 43-vjeçarit që vrau kunatën dhe më pas edhe veten ka thënë se mes tij dhe kunatës, Migenës, nuk ka pasur kurrë konflikte.

Sipas tij ata shkonin mirë si vëlla e motër, ndaj nuk e kishin menduar kurrë se diçka e tillë mund të ndodhte.

“Ata kanë shkuar mirë, ajo i bënte kafen shkonin shumë mirë. Se di si e bëri këtë punë ai unë nuk e kuptoj. Që të qëllosh me armë zjarri mbi gruan e vëllait!”

Në një intervistë për Euronews Albania ai ka thënë gjithashtu se Rolandi nuk ka qenë kurrë pjesë e forcave të armatosura, ai kishte punuar si gomist por dy ditë para ngjarjes kishte lënë edhe punën. Babai i Rolandit ka thënë gjithashtu se nuk e ka lëvizur ai armën e krimit

“Erdhi e më tha babi unë nuk shkoj më në punë. Pse i thashë, nuk shkoj më tha. Po mirë i thash”,-tha babai i Roland Sinanit.

E ëma e 43-vjeçarit: Landi ishte i qetë pasi qëlloi Migenën, vrau veten në oborr

Ikbale Sinani, e ëma e Roland Sinanit, 43-vjeçarit tha se i biri ishte shumë i qetë pasi kishte qëlluar për vdekje kunatën, ndërsa veten e vrau në oborrin e shtëpisë.

Mes dhimbjes ajo rrëfeu se nuk ka asnjë person të tretë të përfshirë në ngjarje pasi krimi në familje ndodhi brenda pak minutash.

“Nuk e di se ku e ka marrë armën. Ishte shumë i qetë pasi kishte vrarë Migenën. Landi e ka vrarë vetën në korridor. Se di ku shkoi më pas pistoletën. Nuk e ka bërë askush tjetër, e bëri Landi. Nuk më shkonte kurrë mendja se Landi do të vriste Migenën”- tha ajo.

Më tej ajo shtoi se 43-vjeçari prej kohësh nuk merrte medikamente ndërsa tregoi dhe agjendën e e të birit.

“Erjoni e donte shumë. Kishte kohë që nuk ishte vizituar. Refuzonte të merrte dhe medikamente. Ai punonte prej kohësh që punonte në gomisteri. Ikte në mëngjes dhe vinte në 7, pastaj rrinte në shtëpi. Të dielën dilte xhiro me biçikletë. Donte vetëm qetësi. Kishim dëshirë të bënim një shtëpi tamam. Erjonit i ka ardhur si bombë”- theksoi ajo.