Site icon Telegrafi

“Niveli i ligës është shumë më i lartë sesa mendojnë njerëzit në Evropë”, Williams rrëfehet për aventurën tek Prishtina

Me një mesatare prej 15 pikësh për ndeshje, Rashad Williams është njëri prej lojtarëve më të dalluar tek Sigal Prishtina këtë fillim të sezonit dhe duket se këtë formë do ta tregojë edhe në vazhdimësi.

Në një intervistë për Telegrafin, Willimas ka rrëfyer shumëçka – që nga eksperienca e tij deri më tani në Prishtinë e deri tek mikpritja e tifozëve dhe bashkëlojtarëve, si dhe objektivat individual dhe kolektiv.

I pyetur për kohën që po kalon tek Prishtina, Williams tha se kjo ka qenë një përvojë më ndryshe për të në krahasim me aventurat e tij të mëparshme në karrierë.

“Të jem tek Prishtina ka qenë një eksperiencë më ndryshe për mua. Është një bekim që jam në gjendje të luajë sportin që dua për një skuadër që ka një histori kaq të mirë në Kosovë. Prishtina ka qenë shumë e mirë ndaj meje për pjesën më të madhe të kohës”, ka thënë fillimisht Williams.

Tutje ai foli edhe për nivelin e ligës së basketbollit në Kosovë, duke potencuar që ajo është shumë më e mirë se sa mendojnë njerëzit në Evropë.

Foto: Williams vs KB Trepça

“Mendoj se liga është një garë më e mirë se sa njerëzit presin në Evropë. Në çdo ndeshje ka luftë dhe nëse nuk vini këtu për të luajtur seriozisht, atëherë çdo kush mund të iu mposhtë”.

Sa i përket rivalëve kryesorë të kryeqytetasve për titullin kampion këtë sezon, Williams tha se Trepça dhe Peja do ta rivalizojnë Prishtinën drejt arritjes së këtij objektivi.

“Natyrisht, skuadrat që të gjithë duan t’i mposhtin janë Trepça dhe Peja, por edhe ne jemi tashmë në mesin e atyre skuadrave që kundërshtarët kërkojnë t’i mposhtin”, deklaroi ai.

24-vjeçari në vazhdim u shpreh se një prej arsyeve kryesore pse ai pranoi ofertën e Prishtinës është respekti që ata kanë jashtë vendit dhe historia e klubit.

“Një pjesë e madhe e arsyes pse unë pranova të vija tek Prishtina është respekti që skuadra ka jashtë vendit dhe historia e tyre. Së bashku me trajnerin Murat i cili po më lejon të jem vetvetja dhe të bëhem më i mirë në shumë aspekte të lojës sime, duke më lejuar që të rritem”.

“Ai është një trajner me eksperiencë kështu që më vjen mirë që po mësoj nga ai. Ai ka stërvitur në nivelet më të larta në Evropë. Unë mendova se do të ishte një mundësi e mirë për mua si fillestar që të vazhdojë ta bëjë atë që dua dhe të kontribuoj në fitoret e skuadrës”.

Për fund Williams tha se ka qenë i lumtur me mikpritjen që i kanë bërë  bashkëlojtarët ndërsa tregoi se me kë prej tyre është më i afërt.

“Mikpritja nga bashkëlojtarët ka qenë shumë e mirë. Ata më mirëpritën mua me krahë të hapur dhe jam i bekuar që po luaj këtu në sezonin tim të parë profesionist. Unë kam një raport të mirë me pothuajse të gjithë. Kam luajtur me Jalen (Moore) në kolegj ndërsa me DJ Burns kemi disa miq të përbashkët”, përfundoi ai.

Williams së fundmi u paraqit në fitoren e Prishtinës ndaj Pejës në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, duke kontribuar me 12 pikë./Telegrafi/

Exit mobile version