Nënkryetari i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka thënë se nisma kryeministrit në detyrë Albin Kurti për fond nga diaspora është improvizim. Ai ka thënë se për këtë çështje është dashur të diskutohet e merret vendim në Parlament.
Nitaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se për ta menaxhuar sa më mirë situatën pandemike, duhet të konsiderohet urgjentisht riplanifikimi i buxhetit të shtetit.
Postimi i plotë i Nitajt:
“Nisma e Kurtit për fond nga diaspora, është improvizim. Për më tepër një nismë e tillë do të duhej të analizohej e të studiohej, por këtë punë mund ta bëj vetëm Parlamenti.
Kosova sot është në një gjendje tjetër dhe nuk menaxhohet situate nga nisma të tilla.
Ajo që do të duhej të konsiderohej urgjentisht është riplanifikimi i buxhetit. Buxheti në Kosovës është miratuar në një kohë tjetër dhe pa pasur parasysh situatën që, dhunshëm, është imponuar nga pandemia.
Prandaj sot Parlamenti duhet të ulet dhe të riplanifikojë buxhetin në përputhje me nevojat dhe mënyrën e re të funksionimit, të shkaktuar nga pandemia.
Sot gjithçka funksionin në rrethana të jashtëzakonshme dhe prandaj dhe buxheti duhet t’i përshtatet kësaj situate!”, ka shkruar Nitaj.