Përpjekja e Gjermanisë për të ringjallur ‘Procesin e Berlinit’ ka rihapur një debat nëse nisma paralele ‘Ballkani i Hapur’ është një pengesë apo ndihmë për integrimin në BE.
Kancelari gjerman Olaf Scholz deklaroi në fillim të majit që Gjermania synon të rikthejë të ashtuquajturin proces të Berlinit, I nisur në 2014 për të për të çuar përpara integrimin e rajonit dhe përafrimin e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor me BE-në.
“Gjermania është angazhuar në Procesin e Berlinit për disa vite dhe duam ta rikthejmë në gjysmën e dytë të vitit,” Germany has been engaged in the Berlin Process for several years and we want to revive it in the second half of the year”, tha Scholz më 4 maj.
Ai shtoi që, në bazë të bisedave me paraardhësen e tij Angela Merkel, “Procesi i Berlinit vlerësohet shumë dhe Ballkani Perëndimor] merr pjesë me dëshirë”.
Ky proces njihet kryesisht për marrëveshje të lirisë së lëvizjes dhe krijimin e një tregu të përbashkët rajonal si parapërgatitje për anëtarësimin në BE.
Fitoi vlerësime për përpjekjen për të afruar vendet e Ballkanit Perëndimor me njëri tjetrin. Megjithatë, dallimet për qëllimet në rajon dhe për mënyrën më të mirë për t’i arritur ato, mbeten të larta.
Në 2019, tre shtete të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, dhe Serbia, nisën një iniciativë tjetër, “Ballkani i Hapur”, që gjithashtu synon krijimin e një tregu të përbashkët rajonal.
Edhe pse shpesh konsiderohet një proces paralel me Procesin e Berlinit për shkak të synimeve të ngjashme – krijimi i një tregu të përbashkët rajonal dhe lirisë së lëvizjes – disa ekspertë thonë se nismat paralele si Ballkani i Hapur, në fakt, nuk ndihmojnë bashkëpunimin rajonal.
Manuel Sarrazin, i dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor tha për emisionin e BIRN, Kallxo Përnime, që Procesi i Berlinit “është shembulli më i mirë për të treguar që Ballkani i Hapur është një iniciativë, me qëllim ndoshta pozitiv, por jo dhe aq e nevojshme”.
Duke e përshkruar Procesin e Berlinit si proces “eksluziv”, Sarrazini shpjegoi që “vetëm një anëtarësim me të drejta të plota në BE funksionon, dhe duhet të bëhet nëpërmjet proceseve gjithëpërfshirëse ku të gjashtë (shtetet) shfaqin dëshirën për të marrë pjesë, kanë mundësi të marrin pjesë dhe ku nuk krijojmë struktura paralele që përputhen me rrugën e qartë drejt BE-së”.
Krijimi i një tregu të përbashkët rajonale para anëtarësimit në BE
Sholz shpalli qëllimet e Gjermanisë nën dy konferenca për shtyp të ndara, pas dy takimeve bilaterale të ndara, fillimisht me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe pastaj me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.
“Në të ardhmen, të gjitha shtetet (e Ballkanit Perëndimor) duhet t’i përkasin Bashkimit Europian”, tha Scholz, duke premtuar një udhëtim në rajon në pjesën e dytë të vitit për t’i ftuar personalisht shtetet.
“Projekti aktual më i rëndësishëm i shteteve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të procesit të Berlinit është krijimi i një tregu të përbashkët rajonal”, tha Sholz më 4 maj.
“Këtu shpresoj që katë marrëveshje të rëndësishme do të arrihen për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe njohjen e diplomave dhe kualifikimeve profesionale”, tha ai.
Si pjesë e Procesit të Berlinit, shtetet e Ballkanit Perëndimor nënshkruan, në Sofje në vitin 2020, një marrëveshje për krijimin e të ashtuquajturit Tregu i Përbashkët Rajonal, i cili përfshin katër liritë e lëvizjes: të njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve.
Në bashkëpunim me Komisionin Europian, Procesi i Berlinit gjithashtu rezultori në krijimin e Zonës Ekonomike Rajonale si hapi i parë drejt një bashkëpunimi ekonomik rajonal.
Gjithsesi pavarësisht “pjesëmarrjes me dëshirë” të shteteve të Ballkanit Perëndimor në Procesin e Berlinit, Gjermania nuk bie dakord për çështjen e Kosovës me Serbinë apo Bosnjë dhe Hercegovinën.
Marrëdhëniet e Gjermanisë me Serbinë janë përmirësuar ndër vite por Berlini dhe Beogradi ende kanë qëndrime të kundërta në një çështje thelbësore- njohja e Kosovës si shtet i pavarur nga Serbia.
Berlini e mbështet dhe e njeh pavarësinë e Kosovës dhe i ka kundërshtuar fuqishëm planet e diskutuara një kohë për ndryshim të kufinjve mes Kosovës dhe Serbisë në baza etnike si një hap drejt pajtimit reciprok.
Ekspertët thanë për BIRN që Procesi i Berlinit duhet gjithashtu të përfshihet në çështje politike të rajonit.
Engjëllushë Morina, eksperte e lartë e politikës në programin Evropës Më e Gjerë në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, me qendër në Berlin, tha për BIRN se “është e nevojshme që procesi i Berlinit të hapet sa më shpejt të jetë e mundur dhe të politizohet… (pasi) ai jo vetëm mbetet një proces teknik që merret me projekte infrastrukturore e të ngjashme, por trajton edhe çështje politike që e rëndojnë rajonin”.
Morina shtoi që Procesi i Berlinit duhet të kryesohet nga Sholz dhe Presidenti i Francës, Emanuel Makron, e gjithashtu të merret me çështje politike të nivelit të lartë, si mosmarrëveshja Bullgari-Maqedoni e Veriut; mos-njohja e pavarvësisë së Kosovës nga pesë shtetet anëtare të BE-së; si dhe bllokimi i Kosovës nga Serbia në iniciativat rajonale dhe anasjelltas, ndër të tjera.
Ajo theksoi që Procesi i Berlinit nuk duhe të shihet si “zëvendësim i procesit të zgjerimit të BE-së” por të trajtohet si “proces shtesë që ndihmon shtetet e Ballkanit të përafrohen me BE-në sa më shpejt”.
Koha për veprim e jo për fraza boshe apo foto të kota në grup
Në të njëjtën mbrëmje që Sholz lajmëroi rihapjen e Procesit të Berlinit, Kurti dhe Vuçiq patën një darkë joformale me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Takimi i tyre, dhe shpallja e Sholzit, erdhën në një kohë shumë të ndjeshme për Kosovën dhe Serbinë.
Më pak se dy javë më herët, më 22 prill, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë kishin dështuar të arrinin një marrëveshje për targat e veturave që kishte shkaktuar protesta në kufirin e Kosovës me Serbinë në Jarinjë dhe Bërnjak vitin e kaluar.
“Fatkeqësisht, ka zero gadishmëri nga pala Serbe (për një marrëveshje)”, tha kryenegociatori i Kosovës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, kur njoftoi që marrëveshja nuk u arrit.
Negociatat dështuan edhe më 13 maj. Bislimi pati një takim me Lajçakun dhe kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, në Bruksel, ku diskutuan për çështjen e targave dhe energjinë, por pa sukses.
Sholz i ka shtyrë Kosovën dhe Serbinë që të jenë më konstruktive, duke e quajtur dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja “vendimtare për paqe dhe stabilitet në Europën Juglindore dhe gjithashtu për integrimin Europian të dy shteteve”.
Të dyja shtetet duken të gatshme për ta pranuar ftesën e Gjermanisë për t’ju bashkuar Procesit të Berlinit, pavarësisht dallimeve të tyre të vazhdueshme.
Adnan Cerimagic, analist i lartë i European Stability Initiative, me bazë në Berlin, tha për BIRN që Procesi i Berlinit të ketë ndikim pozitiv duhet të lehtësojë një “ndryshim në politikat e BE-së kundrejt rajonit; të tilla që ofrojnë më shumë se foto të liderëve dhe fraza boshe rreth një të ardhmeje të ndritshme por të largët në BE”.
“Vetëm takime të rregullta me krerët e rajonit dhe fraza boshe nuk do t’i ndalojnë trendet negative në rajon apo të krijojnë ndryshimet pozitive të nevojshme. Vetëm politika të reja të BE-së me synime konkrete, të prekshme, të arritshme, dhe transformuese, mund ta bëjnë këtë”, thotë ai.
Cerimagic e shpjegon situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor si mjaft të brishtë, duke vënë në dukje alarmimin konstant të mediave për “konflikte të reja të mundshme”.
“Politikanët në Serbi e Bosnjë dhe Hercegovinë kanë spekuluar haptazi në muajt e fundit nëse do të ketë një shpërthim të ri të dhunës”, vuri në dukje ai.
Një dallim tjetër në rajon është edhe krijimi i iniciativave paralele që synojnë tregje të përbashkëta dhe liri të lëvizjes, si Ballkani i Hapur.
“Procesi i Berlinit është i mjaftueshëm për bashkëpunim rajonal dhe nuk besoj që ka nevojë për procese paralele si Ballkani i Hapur, një proces që… përbëhet nga tre shtete, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, dhe Serbia”, thotë Morina.
Politologu nga Shqipëria, Afrim Krasniqi thotë që “Ballkani i Hapur” sfidohet nga “ndikime të fuqive të tjera në Ballkanin Perëndimor”.
Ai paralajmëron: “Nevoja (e perceptuar) për stabilitet ka zhvendosur (gjithashtu) nevojën për një demokraci funksionale, duke pasur efektin e kundërt, duke rritur natyrën autoritare të regjimeve në rajon, si dhe nivelet e larta të korrupsionit”.
Shqipëria dhe Kosova në mosmarrëveshje për Ballkanin e Hapur
Pavarësisht që Shqipëria dhe Kosova ranë dakord në korrik të 2019 për një politikë të jashtme të përbashkët, kur vjen puna te Serbia dhe nismës së Ballkanit të Përbashkët, përafrimi i këtyre politikave të jashtme duket i largët.
Behgjet Pacolli, që ishte ministër i jashtëm i Kosovës në atë kohë, së bashku me homologun e atëhershëm të Shqipërisë, Gent Cakaj, kishin nënshkruar një marrëveshje për koordinim të afërt të politikave të jashtme, krijimin e misioneve të përbashkëta diplomatike dhe ndarjen e stafit diplomatik dhe të eksperiencës në implementimin e interesave kombëtare.
Megjithatë, një muaj më herët, kryeministri shqiptar Edi Rama, në një takim në Novi Sad të Serbisë, ra dakord me presidentin serb, Alaksander Vuçiq, dhe kryeministrin e atëhershëm të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, për të krijuar nismën “Ballkani i Hapur”, me qëllim eliminimin e kontrolleve kufitare dhe pengesave të tjera të lëvizjes së lirë.
Që atëherë, të tre vendet kanë punuar për të shtyrë më tej agjendën dhe për të bindur shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor që të bëhen pjesë e kësaj nisme. Megjithatë, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova nuk e kanë bërë këtë.
“Paaftësia e Shqipërisë për të përfituar nga projektet e Procesit të Berlinit … çoi në krijimin e Ballkanit të Hapur”, këmbëngul Krasniqi.
Nisma nuk është vetëm një “projekt paralel” me Procesin e Berlinit, shton ai, por e ka ndarë vendin dhe, në vend që t’i afrojë shtetet e Ballkanit Perëndimor me BE-në, mbetet “më shumë si një projekt ballkanik”.
Shqipëria nuk është dakord. “Shqipëria jo vetëm që është pjesë e Procesit të Berlinit, por, siç kanë thënë disa herë Kryeministri dhe Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ballkani i Hapur nuk ka synon të zëvendësojë Procesin e Berlinit”, tha Ministria e Jashtme e Shqipërisë për BIRN nëpërmjet email.
Sipas ministrisë, “’Ballkani i Hapur’ është implementimi i katër parimeve të lirisë së lëvizjes në Europë, që qëndrojnë në themel të Procesit të Berlinit” dhe shton që “me ngadalësimin e Procesit të Berlinit në vitet e fundit ‘Ballkani i Hapur’ ka mundësuar disa nisma të rëndësishme”.
Sarrazini, i dërguari i Gjermanisë për rajonin tha që Gjermania është “qartësisht i përkushtuar ndaj procesit të Berlinit, por unë do ta lexoja Ballkanin e Hapur si një dëshirë që Procesi i Berlinit të ishte më i suksesshëm dhe ndoshta edhe një shtysë dhe presion për ne për ta realizuar”.
Për më tepër, Sarrazini ka “një ndjenjë të qartë” se Serbia do të marrë pjesë në Procesin e Berlinit, veçanërisht sepse, siç thotë ai, “Serbia është me fat që ka një angazhim të qartë ndaj Procesit të Berlinit nga kancelari gjerman dhe e gjithë qeveria gjermane”.
Qeveria serbe nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN në lidhje me Procesin e Berlinit dhe Ballkanin e Hapur deri në kohën e publikimit të këtij artikulli.
Jeton Zulfaj, këshilltar politik i kryeministrit Kurti, tha se “Për Kosovën, Ballkani i Hapur është një shpërqendrim ndaj agjendës tonë për integrim në BE dhe dyfishim të Tregut të Përbashkët Rajonal”.
Zulfaj shtoi se, “duke qenë jashtë rregullave të BE-së dhe pa mbikëqyrje demokratike, Ballkani i Hapur … nuk synon një treg të lirë midis vendeve demokratike, por zgjerim të tregut për vendet autokratike si Kina dhe Rusia … të cilat tashmë janë të pranishme në Serbi”.
Zulfaj tha se refuzimi i Serbisë për të vendosur sanksione kundër Rusisë për pushtimin e Ukrainës, si edhe marrëveshjet e saj ekonomike dhe marrëdhëniet e mira me Rusinë dhe Kinën dëshmuan se Kosova nuk mund të përfitojë nga Ballkani i Hapur.
Kosova, përfundoi ai, “është palë e barabartë me të drejta dhe përfitime të barabarta për qytetarët” në Procesin e Berlinit – por nuk do të ishte kështu në Ballkanin e Hapur. /BIRN/