Telegrafi

Nisma Evropiane për Stabilitet kërkon që KiE ta pranojë Kosovën në vendin e Rusisë

Edhe Nisma Evropiane për Stabilitet (ESI), ka përkrahur aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

ESI përmes një deklarate të titulluar “47 përsëri? Rusia jashtë, Kosova brenda”, iu ka bërë thirrje ministrave të punëve të jashtme të vendeve anëtare të KiE-së, që ta pranojnë aplikimin e Kosovës dhe ta dërgojnë në Asamblenë Parlamentare (PACE).

Po ashtu, drejtuesit e ESI, Gerald Knaus dhe Kristof Bender, kanë kërkuar që vendimi të merret në takimin e Torinos në Itali më 20 maj.

Lexo po ashtu SHBA-ja përkrah aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Dërgimi i Kosovës në PACE bëhet me dy të tretat e votave, që i bie 31 nga 46 vende anëtare të KiE. Kjo derisa 34 prej tyre e kanë njohur Kosovën. Si e tillë përmendet edhe Italia që tani është kryesuese e Komitetit të Ministrave.

ESI vlerëson se Kosova, pavarësia e së cilës u konfirmua edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, është rrëfimi i kundërt i Rusisë që së fundi u përjashtua nga KiE.