Site icon Telegrafi

Nisma e vendosur t’i bashkohet AAK-së në protestë, Vetëvendosje hamendet

Opozita e bashkuar kohëve të fundit ka shpërfaqur hapur mospajtimet dhe “plasaritjet” në raportet në mes tyre.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, pas anulimit të protestës së 26 marsit, ka marrë iniciativën që e vetme të thërras një protestë për 14 maj.

E, ky vendim i AAK-së nuk i pëlqeu fare subjektit më të madh opozitar Lëvizjes Vetëvendosje, transmeton Telegrafi.

Kjo e fundit, pavarësisht raportimeve nga mediat se nuk do të marrë pjesë në protestë, ende nuk ka dalë me ndonjë vendim zyrtar se a do t’i bashkohet apo jo me 14 maj partisë së Ramush Haradinajt që të protestojnë së bashku.

Për dallim nga Vetëvendosje, Nisma për Kosovën është e vendosur t’i bashkëngjitet AAK-së në protestën kundër qeverisë, siç po e quajnë antikushtetuese.

Sekretari i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi ka thënë për Telegrafin se Nisma do të marrë pjesë në protestë.

“Po, Nisma do të merr pjesë në protestë dhe konsideroj se të gjithë ata që janë kundër marrëveshjeve dhe kundër kësaj qeverie duhet të marrin pjesë”, tha Sherifi për Telegrafin.

Vetëvendosje ditën kur AAK kishte njoftuar për thirrjen e protestës kishte lëshuar këtë qëndrim:

“Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk ka qenë e njoftuar paraprakisht në lidhje me këtë datë të shpallur nga AAK. As nuk jemi konsultuar dhe as nuk kemi biseduar mes vete për këtë. Kosova ka nevojë për protesta dhe ato do të ndodhin pashmangshëm. Por protestat duhet të jenë të organizuara mirë dhe të mbahen në kohën e duhur. Veprimet e pakoordinuara rrezikojnë ta dobësojnë përpjekjen opozitare dhe të rezultojnë me protesta jo mirë të organizuara dhe jo të fuqishme e masive”./Telegrafi/

Exit mobile version