Dymbëdhjetë vende mes Detit Baltik, Detit Adriatik dhe Detit të Zi duan të zgjerojnë bashkërisht infrastrukturën e tyre. Ato mbështeten nga SHBA, që dëshirojnë të parandalojnë depërtimin e mëtejshëm të Kinës në Evropë.
Në vitin 2015, Polonia dhe Kroacia krijuan një lidhje prej dymbëdhjetë vendesh të BE-së midis Detit Baltik, Adriatik dhe Detit të Zi.
E ashtuquajtura Nisma e Tre Deteve përfshin Bullgarinë, Estoninë, Kroacinë, Letoninë, Lituaninë, Austrinë, Poloninë, Rumaninë, Sllovakinë, Slloveninë, Republikën Çeke dhe Hungarinë. Qëllimi i saj është të rrisë ndërgjegjësimin për interesat politike të shteteve pjesëmarrëse brenda Bashkimit Evropian në mënyrë që të zhvillojë infrastrukturën relativisht të dobët të rajonit të tyre.
Potenciali është i madh.
Ndërsa vendet e Nismës së Tre Deteve përbëjnë 28 për qind të zonës së BE dhe rreth 22 për qind të banorëve të BE, ato gjenerojnë vetëm 10 për qind të produktit kombëtar bruto evropian.
Nga ana tjetër, këto vende shënuan rritjen më të madhe ekonomike në BE përpara krizës së koronës: deri në 3.5 për qind, shumë mbi mesataren e BE prej 2.1 për qind.
Por deri tani projektet e përbashkëta të Nismës së Tre Deteve nuk kanë treguar përparime të shpejta.
Shpesh kishte mungesë të financave sepse vendet anëtare ishin shumë hezituese për të depozituar para në fondin e nismës, i cili u krijua në vitin 2019 në një bankë ekonomike polake.
Në shkurt 2020, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Mike Pompeo njoftoi se SHBA do t’i akordojnë kësaj nisme 1 miliardë dollarë.
Hapat e mëtejshëm financiarë do të shpallen në samitin e pestë të Nismës së Tre Deteve të organizuar nga Estonia, që do të zhvillohet në Talin më 19 tetor 2020.
Kjo është arsyeja pse pritet një “samit i jashtëzakonshëm”, thotë përfaqësuesi i qeverisë polake për Nismën e Tre Deteve, Pawel Jablonski.
“Pas disa vitesh si një projekt kryesisht politik, nisma tani po bëhet një projekt ekonomik”, tha Jablonski.
Mbi të gjitha, Polonia do të mbështesë ndërtimin e tubacioneve të gazit midis Evropës Veriore dhe Jugore, gjë që do ta bënte vendin më pak të varur nga furnizimet prej gazit rus.
Sipas Jablonski, projektet e digjitalizimit janë gjithashtu të rëndësishme në mënyrë që rajoni të bëhet një “qendër për teknologjitë më të fundit”.
Luftë për teknologji
Në këtë drejtim edhe SHBA sheh një mundësi për nismën e saj “Clean 5G Network Security” me të cilën dëshiron të frenojë ndikimin kinez në rrjetet e të dhënave. Ky ishte një nga qëllimet e udhëtimit të Sekretarit të Shtetit të SHBA Mike Pompeo nëpër Evropën Lindore dhe Qendrore në gusht.
“Rrjedha po shkon kundër Partisë Komuniste Kineze dhe përpjekjeve të saj për të kufizuar liritë e të gjithë neve”, tha Pompeo në fillim të tetorit 2020 kur nënshkroi një marrëveshje me BE-në dhe shtetin anëtar të Nismës së Tre Deteve, Slloveninë, e cila synon ndalimin e furnizuesit kinez të teknologjive Huawei.
Ndërsa shumica e vendeve të Evropës Perëndimore ende hezitojnë të vendosin nëse do ta lejojnë apo jo kompaninë kineze Huawei hyrjen në tregjet e tyre, gjithnjë e më shumë vende të Evropës Lindore dhe Qendrore po distancohen nga Kina.
Në prag të samitit të Nismës së Tre Deteve, vendi pritës Estonia, i cili vlerësohet si model evropian i digjitalizimit, e mbështeti po ashtu nismën e SHBA “Rrjete të Pastra”.
Në samitin e ardhshëm, Estonia do të paraqesë projektin e saj “Lidhje e zgjuar”, i cili synon të ndihmojë në digjitalizimin e të gjithë aksit evropian veri-jug. Nënsekretari i SHBA për Zhvillimin dhe Energjinë Keith Krach dhe përfaqësuesi i kompanisë së Internetit Google do të jenë po ashtu të pranishëm.
Por pavarësisht projekteve të përbashkëta vendet anëtare të Nismës së Tre Deteve nuk janë politikisht të një mendjeje. Sidomos qëndrimet politike të tyre ndaj Rusisë, janë shumë të ndryshme.
Si rezultat ato e kanë të pamundur të flasin me një zë me pjesën tjetër të BE-së. Projektet e përbashkëta ekonomike janë shansi i vetëm për bashkëpunim – dhe mbeten një “instrument tërheqës” për SHBA për të ushtruar ndikim në Evropë. /DW/